TIRANE, 10 maj 2013- Janë mbi 4500 të dënuar që ndodhen të izoluar në burgjet Shqiptare. Të gjithë mbartin mbi supe ditët, muajt dhe vitet e dënimit të marrë nga Gjykatat për një vepër penale. Për çdo të dënuar, nga buxheti i shtetit hiqen 5 mijë lekë të reja në ditë, ku përfshihen shpenzimet që burgjet kryejnë për një të dënuar, por pavarësisht këtij harxhimi qeveritar, edhe familja e të burgosurit shpenzon para. Çdo i dënuar, me ndryshimet e reja të ligjit, ka llogari bankare dhe është i pajisur me kartë debiti nga Banka. Në këtë llogari familja e të burgosurit depoziton herë pas here shuma të ndryshme parash, që i dënuari i përdor për të blerë gjerat që i duhen nga brenda burgut.
Me anë të kësaj karte, çdo i dënuar mund të porosit nga brenda qelisë së burgut, gjerat që i duhen pa qenë nevoja të dal jashtë murit të madh rrethues porositë e të dënuarve i merr kompania private, e cila ka fituar tenderin për t’i shitur mallin e kërkuar të dënuarve.
Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, familjarët e të dënuarve dorëzonin pranë financës së burgut shuma të ndryshme parash për të burgosurit, të cilat bëheshin me listë pagesa, që jo rrallë herë ka pas kontestime nga familjarët dhe vet të dënuarit.





