Ofertat për marrjen me koncesion të mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës janë mbi 50 milionë euro dhe në garë janë dy kompani.

Kështu bëri të ditur sot ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili tha se në garë janë dy kompanitë “Vendeka Bilgi”, dhe “Catalys and Salillari” dhe në ditët në vazhdim pritet të dilet me një rezultat nga tenderi.

Koncesioni është 30-vjeçar dhe parashikohet një pagesë mesatare prej rreth 5 euro për çdo automjet që kalon në 60 kilometrat e segmentit Milot-Morinë.

Koncesionarit i është garantuar subvencioni deri në 4 mijë automjete në ditë, çka do të thotë se në qoftë se nuk sigurohet nga ky trafik paratë për pjesën e mbetur do të paguhen nga buxheti i shtetit.

Për vitin e parë shuma e garantuar është rreth 8 milionë euro, dhe vazhdon me progresion rritës çdo vit deri në 14 milionë euro.