Prej hapjes së aplikimeve për panelet diellore për ngrohjen e ujit, për konsumatorët familjarë, aplikimet janë të shumta. Sipas Drejtorit të Agjencisë per Eficencën e Energjisë, Ani Hasa janë mbi 500 aplikime online.

“Deri më tani interesi i qytetarëve ka qenë goxha i lartë, kanë ardhur në 3 ose 4 ditë rreth 500 aplikime. Ka pasur një numër të konsiderueshëm qytetarësh të cilët dhe në numrin tonë jeshil kanë filluar të marrin në telefon, kanë çuar emaile për të pyetur, për kriteret se si mund të aplikojnë dhe ne kemi qenë totalisht transparentë”, ka thënë Ani Hasa.

Në fazën e parë do të përzgjidhen dy mijë abonente familjarë që pajisen me panele diellore për ngrohjen e ujit dhe brenda 2 ditëve, Agjencia e Eficencës së Energjisë miraton ose refuzon aplikimin e njofton aplikuesin në mënyrë elektronike.

Në kriteret e përcaktuara nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, si dhe Agjencia e Eficencës së Energjisë thuhet ndër të tjera se abonenti i cili aplikon për panel diellor nuk duhet të jetë debitor në OSHEE.

Nuk përfitojnë nga ky aplikim konsumatorët familjarë banesa e të cilëve është e pa legalizuar apo në proces legalizimi. Në janarin e vitit te ardhshëm pritet të hapet sërish thirrja për aplikimet, me qëllim për të arritur 20 mijë instalime gjatë vitit 2023. /Klan News