Një aktivitet i madh kulturor u zhvillua mbrëmjen e së shtunës në sheshin "Liria" nga ana e Bashkisë së Durrësit në bashkëpunim me resortin "Bonita".
Aktiviteti ishte në vazhden e një tradite disavjeçare dhe qytetarët durrsakë mirëpritën artin e vendeve te rajonit të shpalosej para tyre në muajt e verës.
Larmia e muzikës, koreografisë, instrumenteve muzikore, kostumeve të shumta të vendeve pjesëmarrëse në këtë kompeticion, ishte një panoramë e mrekullueshme e peizazhit që krijojnë grupet e ardhura nga Evropa Qendrore e deri në Lindje të saj.
Ka qenë synim i Bashkisë së Durrësit, që qyteti të kthehej në sofër të intersektimeve etnokulturore dhe organizimi i tyre, veç gjallërimit të jetës artistike, e ka kthyer këtë event në një ngjarje me përmasa të mëdha për shkak të larmisë që sjell përmes çdo zhanri.
Dy shfaqjet e "Folklore festival" sollën në Durrës mbi 500 artistë nga vende si Ukraina, Polonia, Rumania, Bullgaria, Bjellorusia, Çekia etj.