Vetëm pak ditë nga marrja e detyrës, qeveria populiste në Itali përballet për herë të parë me krizën e emigrantëve. Një anije gjermane me 232 emigrantë në bord mbërriti në portin e Reggio Calabria-s. Emigrantët ishin shpëtuar ditët e fundit pranë Siçilisë nga ekipet e organizatave joqeveritare që monitorojnë ujërat e Mesdheut. Dy anije të tjera me 225 emigrantë të shpëtuar në det mbërritën në portin e Ragusa-s.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvinit, i cili tha se duhen ndryshuar në mënyrë urgjente rregullat e organizatave joqeveritare që veprojnë në Mesdhe. Kreu i Lega Nord akuzoi edhe qeverinë e Maltës fqinje për indiferencë në përballjen e krizës. “Është e pamundur që i thotë jo çdo kërkese për ndërhyrje”, tha Salvini.
Ministri italian më herët kishte sulmuar edhe parimin e Traktatit të Dublinit, që thotë se vendi i parë ku mbërrijnë emigrantët ka detyrimin e nisjes së procedurave të azilit. Kancelarja gjermane Merkel gjithashtu ka theksuar nevojën e ndryshimit të Traktatit të Dublinit, pasi emigrantët thotë ajo, janë përgjegjësi e të gjithë BE.