Një shumë e konsiderueshme në valutë, mbi 60 mijë euro, franga, dollarë dhe paund, është sekuestruar nga Policia e Beratit gjatë një aksioni, në automjetin dhe banesën e një 67-vjeçari që u arrestua.
Burime zyrtare bënë sot (9 mars) me dije se në pranga ra një 67-vjeçar, i cili akuzohet për “pastrim të produkteve të veprës penale”, por pa dhënë detaje në lidhje me çështjen për të cilën bëhej fjalë.
“U sekuestruan 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Operacioni është koduar “Produkti” dhe hetimet janë ende aktive.
Njoftimi i Policisë së Beratit:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Produkti”.
Sekuestrohen 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular. Arrestohet 67-vjeçari që posedonte këto shuma monetare.
Si rezultat i një pune hetimore të kryer mbi bazën e informacioneve të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Berat finalizuan operacionin policor të koduar “Produkti”, në kuadër të të cilit u godit një rast i dyshuar në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 67 vjeç, banues në Berat.
Nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e Policisë, në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, shuma monetare që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.





