Në një vendim të Këshillit të Ministrave të 30 gushtit 2023, Bashkisë Durrës, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i transferohet fondi, në masën 892 511 312.6 lekë pa TVSH, për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto-Romanos – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit miratuar për vitin 2023 dhe i transferohet Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.

Vendimi

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.514, DATË 18.9.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E ZBATIMIT, MBIKËQYRJES DHE KOLAUDIMIT PËR REHABILITIMIN E INFRASTRUKTURËS SË RRJETIT TË KULLIMIT NË ZONËN E PORTO-ROMANOS – KËNETË  DHE SISTEMIMIN E RRJETIT TË UJËRAVE TË SHIUT NË ZONËN URBANE TË QYTETIT TË DURRËSIT DHE CAKTIMIN E BASHKISË DURRËS, SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar,  me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.514, datë 18.9.2021, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 2/1 shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:

 “2/2. Bashkisë Durrës, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i transferohet fondi, në masën 892 511 312.6 (tetëqind e nëntëdhjetë e dy milionë e pesëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dymbëdhjetë pikë gjashtë) lekë pa TVSH, për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto-Romanos – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit miratuar për vitin 2023 dhe i transferohet Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA