Pandemia e koronavirusit nuk po tregon shenja të ngadalësimit në të gjithë botën, me mbi 94 milionë raste dhe më shumë se dy milionë të vdekur. Numri i infeksioneve në Shtetet e Bashkuara – që është edhe vendi më i prekur – ka arritur në mbi 24 milion ndërsa mbi 400,000 persona kanë humbur jetën. Në Indi, nisja e vaksinimit ka rezultuar e suksesshme teksa 190,000 mijë vetë kanë marrë dozat e para dhe askush nuk është raportuar për efekte të mëdha anësore. Gjigandi i farmacisë Pfizer është përpjekur të lehtësojë shqetësimet në Evropë në lidhje me shpërndarjen e vaksinës së saj kundër koronavirusit. Shqetësimet janë ngritur pas vonesave në shpërndarjen e vaksinën në disa vende në Evropë duke sjellë kështu kritika të shumta në kontinent.
Puna po vijon në fabrikën e Pfizer në Belgjikë për të rritur kapacitetin dhe partner i saj gjerman BioNtech ka deklaruar se shkalla e prodhimit të vaksinave do të rritet ndjeshëm në tremujorin e dytë të këtij viti. Rreth 1 milion e 120 mijë persona në Itali kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, duke u shndërruar kështu në vendin e 9 në botë sa i përket numrit të personave të vaksinuar dhe i pari në Bashkimin Evropian. Ndërkohë ka nisur edhe administrimi i dozës së dytë të vaksinave. Sakaq, në Itali ka nisur aplikimi i kufizimeve të reja anti-covid duke e ndarë vendosin në zona të kuqe, portokalli dhe të verdha.
Alarmi në Itali mbetet maksimal jo vetëm për rastet e shtuara të koronavirusit, por edhe për të ashtuquajturat “variante” të reja të virusit. Qeveria Franceze ka vendosur orë policore nga 6 e pasdites deri 6 e mëngjesit për të luftuar rritjen e rasteve kundër koronavirusit. Autoritetet kanë bërë të ditur se masat do të qëndrojnë në fuqi për 15 ditë. Qeveria britanike shpreson të arrijë qëllimin sa i përket vaksinave kundër koronavirusit në mënyrë që të mund të lehtësojë kufizimet në mars, ka bërë të ditur Ministri i jashtëm britanik Dominic Raab. Britania, e cila ka numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë për shkak të këtij virusi, është në izolim kombëtar që prej 5 janar.