Nga BUJAR QESJA
Me 15 janar 2022, në Galerinë e Arteve “Nikolet Vasia” në Durrës, ndodhi një eveniment artistik. Një piktor, që punon për çdo ditë për të rritur ryben profesionale me emrin Ilir Berhami, ngacmoi atë ditë vlerat e tij. Si një lloj tematike për ekspozitën personale që e përuroi publikisht, Iliri kishte menduar si më të udhës ti vendoste titullin:” Njerëz të Qytetit Tim”. U gëzova pa masë, pasi është në një gjatësi vale me përmbajtjen e bindjeve të mia, për t’iu përkushtuar maksimalisht qytetit tim të lindjes, Durrësit.
Do të doja të shprehesh kritika e specializuar në kësi rastesh, pasi krijuesi e kërkon oponencën. E ndihmon në hapat e tjera që kërkon të ndërmarrë. Po se e jap edhe unë një mendim, asnjë te keqe nuk ka veç të mirash. Gëzimi i Ilirit është i ligjshëm. Tentoi të përhapë përmbajtjen e një pune, që ai e kishte menduar se duhet ta ndante me të tjerët. Dhe ky është efekti i parë i kësaj ekspozite. Trondit në mënyrën e tij, jetën kulturore artistike të Durrësit. Jep sinjale të qarta, që pavarësisht si janë vështirësitë, punohet, trazohet krijimtaria, përpunohet ajo për t’u shtyrë më tutje.
Iliri, djali i inxhinjerit të njohur të URT-së Lulzim Berhami, që janë të urtët dhe të mirët e Durrësit, ka vendosur të fokusohet tek 30-tët apo më shumë figura spikatëse në qytet, që ai i mendon si këndvështrim të tijin. Këtu është në të drejtë të tij dhe s’ka pse të ketë pëshpëritje. Ka të tjerë? Sa të duash. Por me 15 janar 2022, ai u përqendrua këtu. Më thanë se në këtë grup, ishte vendosur edhe portreti im. Kjo nuk ma nxiti gëzimin, se sa vetë evenimenti që ndodhi. Durrësi është i të gjithëve dhe të gjithë duhet të gëzohen që sekush nga ne, tenton të paraqesë një vlerë. Dhe këtë ka bërë as më shumë dhe as më pak Ilir Berhami.
Është ulur dhe ka punuar e punuar për të bërë më të mirën, më të bukurën, më të paraqitshmen dhe këtë më pas t’ia prezantoj publikut. Nismë për t’u përshëndetur dhe për t’u gëzuar së bashku me autorin. Kalova nga ekspozita paraditen e 20 janarit 2022 dhe nuk isha vetëm. Nën shoqërinë e dy miqve të mi aq të respektuar dhe shumë të hershëm Ermir Dizdari dhe Luan Jaupi, iu “qepëm” ekspozitës për ta kqyrur me vëmëndje. Ermiri që i po ofrohet të 80-tave, është mjeshtër i dirigjimit. Pak më shumë se dy dekada nga fillimi i jetës, ai dha nga provimet më të rëndësishme të karierës së pasur.
Me 9 janar 1968, dirigjoi me një sukses marramendës, nga gjinitë më të vështira muzikore, operan “Bijtë e Skëndërbeut”. Dhe tani punon si më parë, duke vazhduar të dirigjojë. Luan Jaupi, që i ka lënë pas 65 vitet është mjeshtër i fotografisë. Ka dhënë shumë këtu. Po kështu njihet edhe si koleksionist i relikeve të ndryshme, duke e kthyer shtëpinë në ekspozitë mahnitëse dhe duke i dhënë Durrësit origjinalitet këtu.
E puna ime dihet. Me pasurinë që më ka taksur Zoti, një laps dhe një letër vazhdoj të bëj përpjekjet e mia, për të ndihmuar me sa mundem qytetarinë durrsake në fushën e publiçistikës. Si po veproj edhe tani. Dhe të tre miqtë, panë, u ndalën, vështruan një për një punën artistike të artistit të penelit Ilir Berhami.
U njohëm me portrete të spikatura sipas fushave të tyre, që durrsakët i mbajnë në pëllëmbë të dorës. Disa prej tyre janë: Aleksandër Moisiu, Gjergj Vlashi, Qemal Kërtusha, Klodiana Spahiu, Mirush Kabashi, Haxhi Rama, Nikolet Vasia, Nazif Tivari, Ermir Dizdari, Shpend Topollaj, Luan Jaupi etj. Të lumtë Ilir Berhami, për këtë punë pasionante, me nivel e qytetari që ke bërë. Puna dhe përpjekjet e mira gjithnjë çmohen dhe duhet të kemi sensin e vlerësimit. Është bërë hap para në fushën e portretit, gjini sa e vështirë aq edhe tërheqëse.
Mund të mos e përfundoj shkrimin, duke e mbushur me fjalë të mira aq i papërmbajtur jam këtu. Kohë të vështira për artin, por të mbara për atë që e do punën, është në kërkim dhe thellim të vlerave. Kështu ke vepruar pa asnjë mëdyshje Ilir. Por duke dashur ta ngas më shumë atë arritje që ke kapur edhe ndonjë vërejtje ta ngren më shumë peshën e përgjegjësisë, për t’u çfaqur edhe më mirë në prezantime të tjera.
Thamë që portreti është delikat dhe aspak i lehtë. Por në disa nuk ke goditur në shenjë. Po kap vetëm time, jo se është ky qëllimi i shkrimit, por sigurisht e njoh më mirë se cilido. A jam mjeshtër i penelit Ilir Berhami, Bujar Qesja aty në atë kornizë të ndërtuar me shije?! Çdo portret është origjinal, pasi shpreh veçantitë individuale dhe mbi të gjithë treguesit fizikë. Por brenda saj, natyrisht punohet edhe për psikologjinë dhe përmbajtjen e personazhit. Mendoj se duhen ndrequr gjërat që nuk shkojnë. I këtij mendimi jam edhe për shkrimtarin tonë të njohur Shpend Topallaj. Me përjashtim të emrit, Shpendi ashtu sikundër edhe unë nuk kemi asgjë tjetër aty.
Ka edhe ndonjë portret tjetër që duhet parë me syrin kritik, sikundër ka shumë aty që janë në kufijtë e realitetit. Ky mendim nuk është vetëm i imi. Por absolutisht kjo nuk mund të zbehë vlerat e tua artistike Ilir, ashtu sikundër meriton respekt dhe mirënjohje me pash. Kisha dëshirë të të takoja, pasi me atë vullnet u rrëmbeva për të ardhur tek “Nikolet Vasia”. Por ska gjë. Këtu jemi dhe komunikimi sigurisht nuk ka për t’u zbehur.
Në përfundim u gëzova dhe u kënaqa. Dhe kjo është meritë e punës tënde plot art dhe mjeshtri. Jam i sigurtë që përpjekjet e t’ua nuk do të rreshtin dhe për këtë nxitem të të them:
Suksese djali ynë Ilir Berhami!