NGA RINA ÇELA GRASSET*
Librin “Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit” shkrimtari Eric Emmanuel Schmitt e ka shkruar brenda disa ditësh, në një cep tavoline në një kafene që zhurmonte jetë. Autori nuk do ta imagjinonte kurrë se ato faqe që i shkroi me lehtësinë, me të cilën merrte frymë, do të përktheheshin e do të bënin xhiron e botës nëpër salla teatrosh. E si mund t'i mungonte kjo pjesë teatrale skenës së teatrit shqiptar? E si mund t’i mungonte Mirush Kabashit ky rol në karrierën e tij artistike?
Në pjesën teatrale "Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit" kemi një copë Paris, që nuk ngjan me Parisin që njohim. Jemi në Lagjen Blu që nuk është blu. Arabi i ushqimores nuk është vërtet arab. Kurani i tij, që i ka mësuar gjithçka di, në vend të bindjes së verbër, fsheh dy lule të thara dhe një letër.
Skena është e thjeshtë: një kanape, një karrige; në sfond një bibliotekë e zymtë. Mirush Kabashi është i vetëm në këtë dekor pothuajse të zhveshur. Dekor i zhveshur deri në çastin kur ai hyn në skenë. Si kameleon, ai u jep jetë personazheve diametralisht të kundërt: një baba i ftohtë, që rrit pa dashuri një vogëlush të trishtuar; prostitutat e rrugës “Parajsa”; Brizhidë Bardonë tërë naze, një nënë që ka braktisur një foshnje disa ditë pas lindjes; djalin e vogël, i cili vjedh konserva në dyqanin e arabit, që ëndërron të bëhet burrë por, mbi të gjitha, të mençurin zotin Ibrahim.
Mirush Kabashi na i sjell të gjitha këto personazhe, plot emocion, me artin e tij të madh. Në këtë pjesë që të mban frymën pezull, spektatori lëkundet mes të qeshurave e lotëve. Ekuilibrin e gjejmë tek urtësia që rrjedh si lumë nga Zoti Ibrahim, i cili i mëson vogëlushit të braktisur që e vjedh se ç'është jeta, ç'është dashuria, ç'është ngrohtësia, ç'është buzëqeshja, ç'është falja, ç'është mirëkuptimi.
Titulli i pjesës i lë skeptikë shumë njerëz. Kur dolëm nga shfaqja, dëgjova shkarazi njerëz, që thoshin se shumë veta nuk kishin ardhur vetëm nga titulli i saj. Besimtarët kishin frikë se do të fyheshin, mosbesimtarët gjithashtu. Më erdhi keq për paragjykimet e tyre.
Zoti Ibrahim na mëson me urtësi se besimi i vërtetë nuk është bindje e verbër. Është liria për t'i pranuar njerëzit siç janë e t'i duash për atë që janë, me të metat e me cilësitë, të mëson t'i kuptosh e të mos i paragjykosh aktet e tyre, deri të falësh një nënë që braktis një fëmijë, apo një baba që nuk di të japë ngrohtësi. Ja shpjegimi i këtij titulli misterioz, që i le në dyshim njerëzit para se të blejnë biletën për të hyrë në teatër.
… Në mbrëmje, me rreth pesëmbëdhjetë veta të Shoqërisë Shqiptare “Iliria”, u nisëm nga Lioni për në Gjenevë në teatrin “Madëlene”. Në skenë një copëz Paris që nuk ngjante me Parisin që njohim. Rruga Blu nuk ishte blu. Arabi i ushqimores nuk ishte vërtet arab. Por Mirush Kabashi ishte gjithnjë i njëjti aktor i madh. Që na bëri të qeshim e na bëri të qajmë. E në fund ta duartrokasim me sa fuqi kishim për artin e tij. Ky art që, si vera, me kalimin e viteve, bëhet edhe më i çmuar.
* Titulli në origjinalin dërguar “Dyrrah”-ut është “Mos kini frikë nga arti”
** Autorja është nënkryetare e Shoqërisë Shqiptare “Iliria” në Lion të Francës.
Dy fotot e Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit Mirush Kabashi i takojnë një veprimtarie në Lion në vitin 2012.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





