Nga Agim GJAKOVA
Ese pa ndikime, pa shtirje, pa zhibla nga një mendje, mundësisht larg indoktrinimit, që përsiat për dukuri dhe probleme themelore të kulturës, artit, shkencës dhe edukimit qytetar. Gladiola zhvillon tema duke kuptuar saktë përmbajtjen, kërkesat dhe qëllimin me një parashtrim të mendimeve e pikëpamjeve të veta, pa hezitim, me konkretësi, ilustrim dhe sinqeritet. Mbështet me të dhëna materialin e ofruar dhe thekson tehun e të kuptuarit e asaj që është thënë dhe që lexuesi të mund të krijojë mendimin e tij.
Në shkrime nuk paraqiten pretendime për "teza", por vihen në dukje dhe theksohen shënime kritike, duke krijuar kornizat e esesë së vërtetë ndërlidhur me dashurinë dhe vëmendjen për subjektin që trajtohet.
Esetë përmbajnë argumente, të cilët, megjithëse në ndonjë rast shkenca nuk i ka vërtetuar ende deri më sot, harmonizohen jo thjeshtë si shembuj, por si shkrirje brenda strukturës së shkrimit.
Esetë janë formësuar me shtrirje në lidhje me konceptin kompozicional që të jenë as të gjatë as të shkurtër, por pa cenuar përmbajtjen, duke e sosur mendimin e parashtruar. Pa kërkuar stërhollime të stilit, ligjërimi ka cilësinë e ruajtjes së individualitetit që tash më është krijuar tek Gladiola.
Tipar pozitiv janë citimet që autorja zgjedh nga shumësia e veprave, kur është fjala për letërsinë. Rrahu i trajtimeve nuk kufizohet vetëm me letërsinë, që shihet se ajo e ka për dëshirë, por edhe në analiza në rrahe të tjera, si me Hënën, por gjithnjë ndërlidhur me mendimet, ndjenjat dhe rrjedhimet shpirtërore të njeriut. Përqasjet janë bërë me logjikë, me zgjedhje të duhur për të pasqyruar më mirë idenë dhe qëllimin.
Në këto ese shihet tendenca bashkëvepruese në tërësinë e caqeve të tyre, për të spikatur jo vetëm idetë veç e veç, por mundësisht një ide të madhe për jetën, për realitetin. Ato përmbajnë edhe pak shkencë, edhe pak publicistikë, edhe pak letërsi.
Dhe në fund autorja nuk përpiqet të na imponojë bindjen për ato që shkruan, as të na përplasë argumentet dhe nuk ka zgjedhur të ruajë formën "burokratike", të njohur nëpër mjaft shkrime, po ligjëron ashtu si i vjen për mbarë në mendimet e ndjenjat e veta.
(Prishtinë 2018)