|
Nga Alban Guri 3 shkurt 2015 – “Duhet të kemi brenda qenies tonë pikësëpari virtytin, që më pas të kemi mundësi të realizojmë miqësinë e vërtetë”- thotë Ciceroni. Miqësia flet mbi të gjitha me veprime miqësore, me fjalë, me sy miqësorë. Ajo nuk ka sy të lëngët plot me dëshira trupore. Nuk ka sy hulumtues, dinakë e të lëvizshëm, për të zbuluar, hapësira përfitimi tek “miku” i radhës. |
||
|
Mbi miqësinë është thënë shumë. E unë tani dua të flas për diçka të madhe, vërtet të madhe. Dua të shndërroj përpjekjet njerëzore në një sado të vogël qartësi mendimi mbi atë që de fakto merr vlera shpirtërore dhe bëhet miqësi. Sigurisht, “duhet të kemi brenda qenies tonë pikësëpari virtytin, që më pas të kemi mundësi të realizojmë miqësinë e vërtetë”- thotë Ciceroni. Ky rrëfimtar romak, eseist, filozof, pra njeri i mençur dhe shumë i njohur për katedrat e mendimit, jetoi deri pak përpara epokës së Krishtit – rreth 40 vjet përpara daljes së profecisë nga misteret Hyjnore. Ai, i shqetësuar thellësisht nga ecuria e treguesve shoqëror dhe politik të kohës, fillon e na tregon modelin e miqësisë dhe forcën e saj si element garantues për një rend shoqëror me themele të shëndosha. Duke u kthyer tek e përditshmja jonë, ose tek shekujt që kanë kaluar, ku me termin miqësi është abuzuar pambarimisht, them se miqësia është një virtyt dhe kusht në të njëjtën kohë. Ajo është kusht, që për ta patur si virtyt, duhet të përzëmë nga brendia e vetes tonë: hipokrizinë, zilinë, interesat materiale, karrierizmin, servilizmin. Po të zëvendësonim gjithë këto vese të urryera që mbart shpirti dhe mendja njerëzore me miqësinë, atëherë do kuptonim lehtësisht atë çka thënë Ciceroni. Po kështu do kuptonim më qartë atë çfarë u tha Jezu Krishti Apostujve me frazën: “Duajeni njëri-tjetrin siç ju desha unë juve!” Ai foli për dashuri, por kjo ishte një dashuri miqësore, vëllazërore, në kuptimin simbolik të shprehjes. Pra, këtu kuptojmë se cilat mund të jenë rastet e mirëfillta kur raportet njerëzore karakterizohen nga një ndjenjë e vërtetë miqësie. Grekët e vjetër, të cilët falë gjuhës dhe shkollave që administronin në gjithë Mesdheun 2000 vjet kaluar, qenë të parët që shkruan libra me Tekstet e Shenjta – sigurisht në gjuhën e tyre mrekullisht të pasur. Pikërisht në këtë gjuhë ata marrëdhëniejen e Jezusit me Apostujt e përkufizuan me termin philia (dashuri miqësore). Ndërsa dashurinë trupore, dëshirat atraktive i përkufizuan me termin eros (dëshirë trupore). Po ata, grekët e vjetër, të ditur dhe të ndjeshëm siç ishin ndaj të bukurës, gjetën fjalën agape (dashuri me frymëzim hyjnor) për më të bukurin sentiment, fjalë kjo që përfaqëson dhe kulmin e inteligjencës dhe të ndjeshmërisë tek njerëzit. Mirëpo në vakumin e përditshëm shpirtëror, kulturor dhe informativ që përjetojnë njerëzit prej mijëra vjetësh, bien shpesh herë pre shumë nga ne. Mundohemi të shprehemi dhe kështu delirojmë e tentojmë të prekim tema delikate dhe udhërrëfyese për njerëzimin, siç është edhe argumenti: miqësia. E kush nuk shkroi për miqësinë?! Barinj, kalorës e kallajxhinj. Luftëtarë, të burgosur e marinarë. Ushtarë, alkoolistë e homoseksualë. Poetë, shkrimtarë, kanunxhinj e tradhtarë. Virgjëresha, adoleshente, gra në moshë, prostituta e kështu me radhë. Çlirim i pallogaritshëm energjish dhe emocionesh, shpesh herë të hedhura dëm mbi faqe letrash e librash anonim, që padyshim do kishin vlejtur për diçka tjetër, shumë më të dobishme për njeriun. Është përkufizuar ajo, miqësia, në të gjitha format, me shumë fjalë e rreshta, që në pjesën më të madhe të rasteve kanë krijuar konfuzion dhe jo qartësi. Po në të vërtetë çfarë është ajo?! Ajo, miqësia, është diçka krejt tjetër nga marrëdhënia obsesive kundruese që ka, jo me ty por me trupit tënd, homoseksuali i radhës kur shtiret si mik. Ky raport, ose sentiment njerëzor, si na pëlqen shpesh ta quajmë miqësinë, nuk mund të jetë veçse një kusht ku nuk ekzistojnë si referencë të mirat materiale dhe shkëmbimi i tyre mes individëve. Ai është një raport i kushtëzuar nga fakti se askush nuk mund t’i imponojë palës tjetër “respekt” autoritar. E njëjta gjë mund të thuhet, pra në formë kritike, nëse dikush pretendon të përfitojë prej dikujt diçka dhe jeton me paturpësi duke thënë se ndjehet mirë që po përjeton një “miqësi” të tillë. Jo! Miqësia është një sentiment. Ajo është një nga tre elementët ose format ekspresive më të përmendura kur flitet për ndjenjën më të lartë dhe sublime që karakterizon njeriun, pra, për dashurinë. Miqësia është pjesë e rëndësishme ose shpesh pararendëse e dashurisë. E për dashuri kemi parasysh atë që përmendet në librat e shenjtë, lidhjen e madhe erotike, miqësore dhe shpirtërore ardhur nga Zoti (Shën Pali Korintasve 1)
Kështu, do të shprehesha edhe unë në lidhje me miqësinë pra: Po të kisha çdo mundësi materiale ose gjithë hirin e bukurisë, edhe po të kisha gjithë pushtetin tokësor dhe prepotencën e një qenieje, symbyllur që kërkon të barazohet me Atë që e ka krijuar, po të mos kisha miqësinë, jam i sigurt se do të isha i vetmuar dhe do ndjehesha një asgjë!
Vlen të kujtohet se miqësia është ajo, e painteresuara ndjesi mbi baza materiesh, ajo e painteresuara ndjesi dhe veç e ndershme ndaj nevojtarëve; është për ata që e kërkojnë pa interes dhe me sinqeritet atë. Është ajo ndjesi që kërkon dhe i ofrojmë atij, që në heshtje e plot me dinjitet ka nevojë për të, për miqësinë tonë. Ai e kërkon dhe nuk çirret apo serviloset për ta patur atë prej nesh. Ai pra është miku ynë, ai na jep të kuptojmë se çfarë kërkon prej nesh dhe na bën që ta ofrojmë edhe ne vetë këtë sentiment, miqësinë, tek ai ose tek të tjerë. Miqësia flet mbi të gjitha me veprime miqësore, me fjalë, me sy miqësorë. Ajo nuk ka sy të lëngët plot me dëshira trupore. Nuk ka sy hulumtues, dinakë e të lëvizshëm, për të zbuluar, hapësira përfitimi tek “miku” i radhës. Ajo, miqësia, nuk ka brenda strukturës së saj strategjira okulte mbi depersonalizimin e atij që duam ta kemi mik, duke i shkaktuar atij trauma, duke i prishur atij ekzistencën prej xhelozisë, duke i shkatërruar raportet që ai ka me të tjerët dhe me gjithë botën e tij. E përse?! “Vetëm e vetëm për ta patur pak mik!”. Ky është vetëm një nga shumë paradokset që konsumohen në emër të këtij virtyti të lartë siç është miqësia. Këtu mund të theksohet se nuk mund t’i veshim emrin miqësi raportit që prodhon një individ me gjithkënd tjetër të rastësishëm, vetëm e vetëm për t’i treguar botës se edhe ai ka miq. Sepse në të vërtetë ai akuzohet shpesh për faktin se “nuk do kishte se kujt t’i kërkonte qoftë edhe një gotë ujë” siç thotë populli, pra si një i vetmuar për faj ekskluzivisht të tij, në këtë botë plot me njerëz e me miqësira. Ai dëshiron, thjesht të tregojë në dukje dhe jo në përmbajtje se ka miq. Me fjalë të tjera, ky individ ka nevojë të shtiret e të justifikojë paaftësinë e tij në shoqëri dhe nuk ka aspak si qëllim të krijojë e të jetojë raporte vërtet miqësore, për të cilat bota ka aq shumë nevojë e pa të cilat njeriu nuk mund të jetojë si njeri. Pas Krishtit, filloi të qartësohej dhe mund të them se ishte gjithnjë e më konkrete ideja mbi miqësinë, sigurisht kjo edhe pas provave, shembujve dhe eksperiencave të Tij me Apostujt. Njerëzit, pas kësaj epoke, kanë mundësi të kuptojnë se miqësia nuk është diçka abstrakte, por as krejt e zakonshme. Ajo shihet si një gjë e shenjtë, që fle tek njeriu prej ndërmjetësisë së Shpirtit të Shenjtë, i cili zbret prej lart me vullnet të Krijuesit. Po kështu, si një gjë e shenjtë ajo përkufizohet edhe në jetën e përditshme si dhe në zhargonin e njerëzve që zakonisht nuk kanë asgjë të shenjtë ose lidhje me gjërat e shenjat. Pjesa më e madhe e tyre, në mënyrë retorike thonë, “motra është e shenjtë”, “toka është e shenjtë”, e po kështu thonë “miqësia është e shenjtë”. Sigurisht thonë një të vërtetë të madhe këta të pandërgjegjshëm edhe pse fjalët i përdorin pa iu a ditur kuptimin ose pa u thelluar në to. Miqësia është e Shenjtë. Ajo nuk fle tek kushdo. Ajo vjen e zbret në mënyrë të padukshme nga Lart dhe prandaj themi se “ai është një njeri i Lartë” kur duam të përshkruajmë me solemnitet një person që na është shfaqur vërtet me virtyte miqësore. Miqësia nuk preket, nuk hahet, nuk vishet, nuk duket me sy, nuk ka ngjyrime, nuk ka variante. Nuk është miqësi ajo që përshkruajmë kur themi “unë atë e kam mik me versionin tim”. Jo, ajo nuk është miqësi! Ajo mund të jetë sjellje oportuniste, mashtruese, e bazuar në interesa të caktuara për rrethana të caktuara. Miqësia vjen në formë energjie, si një bashkudhëtare me Shpirtin e Shenjtë dhe zë vend në zemrën dhe mendjen e një personi. E që nga ai moment, ajo është e njëjta gjë tek të gjithë, është e njëjta ndjesi dhe kështu, të gjithë ata që e kanë brenda tyre komunikojnë nëpërmjet saj. Ajo zbret vetëm nga lart dhe prandaj i ngre gjithnjë lart në piedestal ata që e mbartin. Prej këtyre njerëzve bota zbukurohet e ndodhin mrekullitë. Mund të thuhet se si në atë e në këtë kohë, ose më mirë në të gjitha kohërat, miqësia mund të konsiderohet si një cilësi që iu përket njerëzve të ndershëm dhe të mbarë, të cilët si një klasë shoqërore e konsoliduar, nëpërmjet saj, miqësisë pra, mund të garantojnë mbarëvajtjen e shoqërisë dhe janë në gjendje të rregullojnë punët e shtetit. Miqësia është ajo që reziston në kohë (kohët njerëzore), qoftë edhe me fragmente të shkëputura ose momente të shkurtra miqësie që krijojnë atë sigurinë dhe ndjeshmërinë që të bëjnë të mendosh se ti me atë person të cilin e konsideron mik, ke lindur e je rritur së bashku. Është pikërisht ajo që nuk ka interesa të tjera veç natyrales, modestes, të pastrës, të ndershmes dhe jetëgjatës miqësi.
|
||





