– 50 studentë të arkitekturës nga Evropa dhe Shqipëria do të eksplorojnë 12 shkolla midis Tiranës dhe Durrësit në kontekstet e ndryshme hapësinore duke përfshirë ato urbane, informale dhe rurale

DURRËS, 1 shtator 2014 –  Shkollë verore në javën e parë të muajit të parë të vjeshtës mbi potencialin e shkollave si qendra komunitare.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, revistën e Arkitekturës  San Rocco dhe Universitetin EPOKA, organizojnë gjatë javës së parë të shtatorit një shkollë verore mbi potencialin e shkollave si qendra komunitare – një nga përparësitë e qeverisë, njofton AKPT-ja.

Shkolla verore përfshin rreth 50 studentë arkitekture dhe profesionistë të rinj, prej të cilëve 40 janë nga Evropa dhe 10 nga Shqipëria (në foto).

Shkolla gjithashtu angazhon 10 profesorë, ekspertë e profesionistë të arkitekturës të cilët do të drejtojnë punën e pjesëmarrësve.

Veprimtaria do të eksplorojë 12 shkolla midis Tiranës dhe Durrësit, të cilat do të analizohen dhe studiohen nga shkolla verore.

Shkolla verore do të eksplorojë gjithashtu kontekstet e ndryshme hapësinore duke përfshirë ato urbane, informale dhe rurale.

Tipologjitë e mundshme do t’i propozohen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të mundësuar e çuar përpara idetë e gjeneruara gjatë kësaj jave aktive në Tiranë.

Secili prej arkitektëve të ftuar do të mbajë gjithashtu një leksion publik në Tiranë gjatë kësaj jave duke filluar nga 2 shtatori 2014.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/