Media lokale e shkruar dhe audiovizive si dhe media sociale u përdorën në fushatë zgjedhore dhe e pasqyruan këtë fushatë, në përgjithësi në mënyre të barazlarguar nga subjektet zgjedhore. Kështu konkludohet në Raportin përfundimtar mbi Monitorimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë 11 Maj 2025 me fokus Njësinë zgjedhore – Qarku Durrës organizuar nga Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile, (CSDC), me mbështetjen e Albanian National Training and Technical Assistance Resource Center (ANTTARC) dhe Institutit për Politika dhe Studime Ligjore (IPLS).
Raporti vlerëson si sfidë të medias në fushata zgjedhore faktin se media audiovizive dhe mediat sociale, në kapërcim të ligjit, trajtohen nga partitë /kandidate si instrumenta. Si propozim për zgjidhje në raport propozohen ndryshimet në Kodin zgjedhor të cilat duhet të synojnë: rregullim te përdorimit të reklamave politike; garanci për qasje të barabartë në media për subjekte zgjedhore, kandidatë dhe, në vecanti për kandidatet gra/vajza. Raporti shikon si thelbësore transparencën mbi pronësinë mediatike dhe transparencën në kontratat për reklamat politike. Po kështu theksohet nevoja për rregullim më efektiv ligjor të mediave sociale vecanërisht për sjelljen e tyre në fushatat zgjedhore.
Raporti nënvizon se Portali “Durrës Lajm”, një ndër portalet me ndikim të ndjeshëm në qytetin e Durrësit dhe që i kushton një vënd të veçantë trajtimit të problemeve dhe jetës politike si dhe portali “DurrësPost”, e pasqyruan, në mënyrë të balancuar të gjithë fushatën zgjedhore. Megjithatë, u vëzhguan raste të qëndrimeve të pabalancuara në pasqyrimin e aktiviteteve dhe prezencën në veçanti, të kandidatëve të listës së hapur, si dhe në perdorimin e gjuhës dhe dhënies së mesazheve nxitëse negative. Gjithashtu, mediat audiovizive lokale “Adrianet” dhe “Durrësi live” kanë transmetuar intervista me kandidatët e subjekteve të ndryshme zgjedhore, në mënyre të balancuar. Por, nderkohë, nuk u arrit të kishte një paraqitje të balancuar të kandidatëve meshkuj dhe femra. Nuk u organizuan debate me pjesëmarrjen ballë për ballë të përfaqësuesve të subjekteve të ndryshme zgjedhore. Në pjesën më të madhe të rasteve, munguan paraqitjet në media të programeve qeverisëse të fokusuara në zhvillimin ekonomik e social të qarkut të Durrrës, në veçanti të zonave periferike dhe rurale të këtij qarku.
Kandidatët e listave të hapura, në përgjithësi patën mundësi të bënin fushatë zgjedhore në mënyrë të lir por jo përherë të barabartë në veçanti për mundësinë e aksesit me median lokale audiovizive.Fushata filloi më 11 prill dhe vazhdoi deri 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Partite politike, në veçanti PS e PD, zhvilluan aktivitetet elektorale edhe përpara kësaj periudhe. Vëzhguesit afatgjatë të Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile monitoruan aktivitete elektorale të zhvilluara nga partitë politike dhe kandidatë të tyre si dhe median lokale të shkruar dhe audiovizive. Mbështetur në informacionin e grumbulluar, në përgjithësi mund të pohohet:
-Në fushatën zgjedhore në qarkun e Durrësit mbizotruan aktivitetet e zhvilluara prej PS, koalicionit PD-AMSH. Drejtuesit e këtyre dy subjekteve ishin në qëndër të aktiviteteve kryesore, në hapjen dhe mbylljen e fushatës. Subjektet e tjera zgjedhore, Nisma-Shqipëria Bëhet, partia Mundësia, Lëvizja Bashkë, Koalicioni Euroatlantik etj. ishin më pak të pranishme në fushatën zgjedhore, me organizimin e një numri të vogël takimesh me zgjedhësit.
U vu re se kandidatët e listës së hapur zhvilluan fushatë më intensive duke i dhënë prioritet takimit nga afër dhe derë me derë me zgjedhësit. Gra dhe vajza kandidate ishin dukshëm të pranishme në fushatën zgjedhore.
Në komunikimin me zgjedhësit partitë politike u përqëndruan në paraqitjen e alternativave të tyre për zgjidhjen e problemeve të ndryshme social-ekonomike, zhvillimin ekonomik dhe paraqitjes së prioriteteve të këtij zhvillimi në qarkun e Durrësit, antarësimin në BE dhe luftën kundër korrupsionit. Por, problemet që lidhen me eliminimin e pasojave të tërmetit në raste të shpeshta u vëzhguan si temë mbizotruese e komunikimin me zgjedhësit.
Fushata zgjedhore u karakterizua nga një nivel i moderuar tensioni midis subjekteve zgjedhore. Në përgjithësi qytetarët demostruan qëndrime skepticiste me shfaqje të dukshme të mungesës së besimit ndaj klasës politike. Në fushatë mbizotroi retorika politike e fokusuar në kritikat ndaj kundërshtarëve. Paraqitja e programeve dhe alternativave qeverisëse nga partitë politike u zhvilluan si proçese që nuk ngjallën entuziazëm të dukshëm tek qytetarët. Në tubimet që zhvilluan partitë politike në shumicë morën pjesë antarë dhe militantë të tyre. Ishte e dukshme pjesëmarrja e punonjësve publik në aktivitetet që zhvilloi Partia Socialiste. Si pjesë të fushatës pushteti vendor aktivizoi një numër projektesh si punimet ne rrjetin rrugor ne prag dhe gjate fushates zgjedhore.
Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile, (CSDC) aktivizoi 5 (pesë) vëzhgues afatgjatë dhe 32 (tridhjetedy) vëzhgues afatshkurtër. Objekt i vëzhgimit ishte proçesi zgjedhor përpara ditës së zgjedhjeve, fushata zgjedhore dhe dita e zgjedhjeve. Vëzhguesit afatgjate monitoruan 4(katër) KZAZ (21,22,23,24) në qarkun Durrës me fokus pregatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë qark





