Nga Faik Islami
Si specialist i Institutit të Studimit Tokave, i ngarkuar për problemet e shkripëzimit, të krejt Ultësirës Bregdetare, prej Vrinës-Sarandë dhe gjer Velipojë-Shkodër dhe në mënyrë të veçantë për atë të Spitallës-Durrës, ku kishim edhe bazën tonë eksperimentale, të udhëhequr nga unë, si model për tërë problemet e shkripëzimit dhe të bimësisë në kultivim, bazë që e patëm të tillë gjer në vitin 1990, është normale të them mendimin tim, pse e ndiej edhe si obligim shkencor e moral, të shprehem rreth atij problemi me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare të atëhershmen, por akoma më shumë për të sotmen, padyshim edhe për perspektivën, të cilën nuk po e hasim në ndonjë plan të caktuar.
Gjithkush e di që nisja e cilësdo punë ka vështirësitë e veta, të cilat edhe në atë rast, shkenca e inxhinierisë bonifikuese i ka pasur të njohura qysh në fijet e para të letrave, mbi të cilat u hodhën idetë e një projekti jo të vogël bonifikues. Me këtë dua të shtoj se inxhinierët tanë të fushës së bonifikimeve të mëdha, shkencëtarët e kësaj fushe nuk ishin pakë dhe jo të paditur, por njohës të mrekullueshme të fushës. Ata u treguan vizionarë për domosdoshmërinë e bonifikimeve.
Në fund të fundit është një fakt i pamohueshëm se shkenca jonë, në përgjithësi dhe ajo agrobonifikuese në veçanti, për një periudhë relativisht të shkurtër, nga hiçi i trashëguar, u vu mbi baza të fuqishme shkencore, bazuar në realitetet tona të brendshme, përvojën e vendeve më të përparuara, domosdo e udhëhequr nga një politikë specifike e cila bazohej mbi planifikime shkencore afatgjata. Nga ato plane të studiuara me imtësi dhe kulturë të lartë shkencore, u arrit që të bonifikoheshin sipërfaqet e mëdha të zëna prej ujërave në gjendjen shekullore, të sistemoheshin ato, të kulloheshin dhe me një sërë veprash ujë marrëse u vunë ndenë ujë, duke u kthyer në hambarë drithërash. U arritën rendimente nga më të lartat, jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Me syrin e përfitimeve dhe sistemimeve e mbrojtës së tokave u panë dhe u planifikuan investimet e mëdha në zonën para bregdetare, një territor i lënë krejtësisht në harresë këto 22 vite.
Një gjë është e provuar tashmë nga ata specialist të ndërgjegjshëm, se në punën me tokat, kurrë nuk mbetën kanalet sekondarë dhe terciarë të papastruara, hidrovorë jashtë gatishmërie qysh në muajin shtator dhe as nuk u përmbytën ndonjëherë tokat e përftuara nga ish-kënetat. Me syrin e përfitimeve dhe sistemimeve e mbrojtjes së tokave u panë dhe u planifikuan investimet e mëdha në zonën para bregdetare dhe sidomos ato të vijës bregdetare, ku përfshihej edhe ish-këneta e Spitallës, tokave parabregdetare të Karavastasë (Remas-Bedat) Karavastaja.
Shkurtazi, po ndalem tek trajtimi i kënetës së Spitallës-Durrës. Në këtë rast duket pasur parasysh historia e asaj pune kolosale me tokat e gjithë vijës bregdetare, të NB-ve që u krijuan apostafat në zonën parabregdetare. Shkenca jonë e agronomisë, Instituti i Studimit të Tokave Tokave, në bashkëpunim me të dhënat shkencore të agrokimisë, të grumbulluar prej shumë eksperimentimeve paraprake, në katër baza kërkimore në krejt territorin bregdetar, tërë literaturës së shumtë shkencore, që vinte në atë kohë, nga disa rrugë, prej vendeve me kushte të ngjashme, e pati shumë të qartë se shkripëzimi ishte një problem jo i lehtë, por i natyrave komplekse dhe se zgjidhja e tij përfundimtare do të vinte prej një kombinimi mes rrugëve të rregullimit të regjimit hidrik, të njëkohshme me ato të përmirësuesve me ndikimet kimike në tokën e kripur. Instituti pati shkencëtarë të talentuar, pedologë të afirmuar, mbaruar jashtë shtetit e tërë personeli i një laboratori serioz, përcaktuan rrugët më efikase, për përfitimin dhe përmirësimin e tokave të kripura si dhe të teknologjive që do të zbatoheshin mbi to. Arritjet ishin shumë evidente, por edhe mangësitë, sidomos mungesa e investimeve të mëtejshme nuk munguan.
Është rasti të përmendet se ishin po këta shkencëtarë revolucionarë, që ia arritën të kryenin dhe të mbulonin me analizat njohëse tërë përbërësit e tokave tona, në thellësitë që kërkojnë parametrat shkencorë, nëpërmjet të dy studimeve të mëdha pedologjike dhe tre studimet agrokimike. Veprimtari mbi tokën dhe për tokën ato të arrira si në pakë shtete të asaj periudhe.
Dihej qysh në krye të herës se problem pas bonifikimit do të ishte largimi i natriumit dhe klorit, si dy elementët helmues në kultivimin e bimëve në tokat e përfituara nga ish kënetat dhe në proces përmirësimi. Të vetmit “agjentë sekretë” ishin dhe janë këta të dy dhe vetëm këta, të cilët dihet që e kanë aftësinë të “rekrutojnë” plot të tjerë që ta kthejnë tokën në helmuese, djerrinë, të shkretë. As edhe një sekret tjetër nuk kishte, nuk ka dhe s’do të ketë për tokat e kripura. Në se atyre u rregullohet sistemi i një kullimi perfekt, të gjitha masat e tjera, që gjithashtu janë njohur nga shkenca jonë qysh herët, bëhen efektive. Në të kundërtën ato terrene mund të jenë për gjithçka, por jo më për tokë, për tokë arë jo që jo! E njerëzit, them se do ta kenë të vështirë të jetojnë në një tokë të helmuar, të vdekur.
Problemi i shkripëzimit është gjithashtu reversibël në kushtet e mungesës kullimit ose injorimit të parametrave kullues, të cilat një inxhinier serioz, një Ministri Bujqësie serioze, një qeverisje e përgjegjshme duhet t’i dijë. Sot më shumë se dje do të ishte dashur prej atyre që ja kanë haberin kësaj të keqeje shumë të madhe t’u bini kambanave të alarmit, për gjendjen katastrofike të kullimit të sotëm në zonat bregdetare. Përmbytjet e përjetuara sipas mendimit tim, përgjithësisht erdhën si fatkeqësi jo natyrore, por pasoja të mosveprimit serioz me mbrojtjen e regjimit te vijës bregdetare, grykëderdhjes dhe sistemit kullues. Mirëpo pasoja tjetër është edhe më e rëndë, sepse është shumë afatgjatë e keqja. Unë jam shumë i sigurt se efektet kripëzuese nuk janë më prezente vetëm në tokat e ish-kënetave, por ato janë shtrirë dhe do të japin efektet helmuese mbi të mbjellat gjer thellë, në Durrës, Lushnjë, Fier,Vlorë, Vurg e gjer në Berat. Bashkimi i ujërave nëntokësore me ato sipërfaqësore, që si takohen me ujin e detit dhe mandej bashkohen me ato nëntokësoret, në saj të fenomenit të osmozës, bëjnë kripëzimin e ujërave nëntokësore, të cila në saj të fenomenit të kapilaritetit ngjiten lartë në shtresat e punueshme, të mbjellat dhe i helmojnë krejtësisht bimët. Dhe ky fenomen, që kryhet natyrshëm, shumë shpejt, bëhet shumë i vështirë për ta larguar kripën prej tokës. Kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë sa herë ka përmbytje të terreneve fushore. E keqja vjen kaluar, por ajo nuk ikën as me këmbë në rastin e kripëzimit të tokës.
Spitalla qysh atëherë u pa si modeli, si prova nga ku do të shpërndahej përvoja e fituar. Pra epiqendra e tërë studimeve dhe eksperimentimeve të shumta u bë pikërisht Spitalla. U pa edhe për një arsye tjetër: inxhinierët e shumtë të huaj, austriakë, hungarezë, sovjetikë, të FAO-s etj që kishin vëzhguar zonat tona bregdetare, patën rekomanduar vrojtimin, planifikimet e masave nisur nga burimet e thella kripore të diapirrave argjilore, ku në Spitallë janë tepër karakteristike. I parë dhe i ndjekur në kompleks e në dinamikë tërë problemi, u arrit që nëpërmjet kombinimit të masave hidrike dhe përmirësuesit kimik, gipsit, jo vetëm të largohej gradualisht kripa, por edhe të vihej nën kulturë sipërfaqja më e madhe e Spitallës dhe e pesë NB-ve me toka të tilla. Për këtë mund të flasë kryespecialisti dinjitoz, i ish-NB Spitallë, Aurel Heba dhe ish-përgjegjësi i bazës eksperimentale, agronomi i mesëm, Besniku, duke nxjerrë të dhënat shumëvjeçare të eksperimenteve të shumta, provuar me bimësinë e mbjella në atë tokën, ish-të kripur.
/Marrë me shkurtime nga e përditshmja “Shekulli”/





