NGA GAZMIR TAHIRI**
Drejtoria e Përgjithshme Detare (DPD) mbylli vitin 2014 si vit të pestë të funksionimit te saj. Është një nga administratat detare nga më te rejat dhe me delikate në rajon për nga përvoja dhe kompetencat. Por është e ndërgjegjshme se ka një mision tepër të rëndësishëm për vetë natyrën dhe perspektivat e vendit në drejtim të shfrytëzimit të ekonomisë detare dhe kulturës së bashkëjetesës me potencialet, risqet dhe rregullat, mbi të cilat shtrohen shinat e kësaj ekonomie.
FUND I EPOKËS SË GRUPEVE TË PRAKTIKËS SË LIRË
Sot mund të themi me krenari që portet tona presin anije cruiser (kroçiera) nga kompanitë me prestigjioze në botë, anije kontejnerësh të konstruksioneve moderne si dhe tankerë të kapaciteteve deri 60 mijë tonë deadweight. Këta transportues nuk konceptoheshin më parë t’u afroheshin brigjeve shqiptare. Tani, falë një kulture të pritjes dhe trajtimit të këtyre mjeteve nga DPD-ja dhe asistenca e nevojshme në operim, u jep këtyre anijeve, dhjetëra-milionësh euro në vlerë, sigurinë e operimit në portet, radat dhe infrastrukturat shqiptare.
Rikonceptimi i praktikave, sipas konventës FAL (Convention on Facilitation of International Maritime Traffic), ka sjellë uljen drastike të burokracive në porte dhe rada. Shumëkush i mban mend mirë që grupe të praktikës së lirë, të përbëra nga policë, doganierë dhe inspektorë, shkonin anije më anije në radë për të bërë atë, që sot e bëjnë në mënyrë tepër të liberalizuar dhe me koeficient risku, me kulturën dhe etiken e porteve evropiane. Kjo ka sjellë uljen e ndjeshme të kohës, që anijet sot shpenzojnë për formalitetet në hyrje-dalje, për rrjedhojë, edhe përpunim të tyre më të shpejtë në porte.
FLAMURI
Fokusi i punës ka vijuar të jetë në rritjen e standardeve të trajnimit dhe kualifikimit të detarëve shqiptarë, që punojnë në anijet me flamur shqiptar apo të huaj, duke i dhënë shumë rëndësi ndjekjes së veprimtarisë së çdo anijeje nën flamurin tonë, çka ka rezultuar në uljen e numrit të deficiencave (mangësi teknike) të vërejtura gjatë inspektimeve të tyre në portet e huaja, ku ato prekin. Kjo na çuar në aftësimin e detarëve shqiptarë sipas standardeve të konventës ndërkombëtare STCW (International Convention on Standards of Training, Certification and Watchkeeping for Seafarers), ku Shqipëria figuron në listën e bardhë të këtyre standardeve për herë të parë në historinë së saj dhe ku marinarët shqiptarë sot punojnë në çdo skaj të globit dhe me kompani serioze detare në kontrata afatgjata. Tradita detare shqiptare sot i ka premisat të rilindë falë nivelit të trajnimit dhe specializimit nga qendra e trajnimit ashtu edhe moduleve të universiteteve tona të navigacionit Vlorë dhe Durrës.
Shqipëria po njeh rritje në nivelin cilësor të flamurit ku në 2014 flamuri ynë po bën progresion në zonën gri dhe por rrisim parametrat për të synuar një flamur në zonën e bardhë, çka do të krijonte premisa të financimeve afatgjata nga partnerët tanë evropianë në rrugën si kandidate e BE-së.
NGËRÇET E KOOPERIMIT
Kultura e kooperimit midis DPD-së dhe administratave të porteve ka hasur në ngërçet e veta të kuptueshme. Kjo, pasi kuadri ligjor dhe administrativ mbi të cilën funksionon DPD-ja, nuk ka pasur kohën dhe mbështetjen e nevojshme në vite për të konsideruar sistemin portual shqiptar si pjesë integrale e një sistemi të tërë. Por me mbështetjen e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) vitin e fundit, po arrijmë në frekuencën e duhur për të diktuar pozitivisht një kulturë të re të kooperimit. Ligji anglez i detit, që është baza e legjislacionit detar dhe kodit tonë detar, të mos shikohet më me bajraktarizëm apo indiferencë, por të kuptohet qartë që portet janë hallka e parë e implementimit të ligjit të detit.
Mospjesëmarrja e anëtarëve të DPD-së në bordet drejtuese të porteve dhe në vendimmarrjet e tyre është një hallkë për t’u korrigjuar. Shumë shpejt, me ndihmën e asistencës evropiane, do t’i paraqitet Ministrit dhe Qeverisë aktuale projekti i një departamenti apo sekretariati pranë DPD-së për monitorim më të saktë të veprimtarisë së porteve shqiptare sipas rezolutave të BE-së, praktikë kjo që është e pranishme në të gjitha administratat detare fqinje, por që mungon vetëm te ne.
SIGURIA NË PORTE LË SHUMË PËR TË DËSHIRUAR
Janë marrë masat për të ringritur sistemin e sigurisë së porteve në një nivel të ri cilësor. Ndryshimet drastike të porteve dhe fasiliteteve dhe efektet politike në organizimin e FSP-së (Forca e Sigurisë Portuale) në vite kanë bërë që nivelet e sigurisë në porte të lënë shumë për të dëshiruar dhe ora e këtyre sistemeve ka mbetur në vitin 2009, kur u implementua për herë të parë sistemi ISPS (International Ship and Port Security) dhe që atëherë nuk është investuar më në këtë sistem.
Me planëzimin që kemi që në muajt e parë të këtij viti synojmë të kapërcejmë problemet e dala dhe ta fusim sigurinë në portet tona në një stad të ri, pasi këtë e bën edhe më emergjente fluksi në rritje i mjeteve të kënaqësisë, kroçierave dhe udhëtarëve në portet shqiptare si dhe lufta globale kundër terrorizmit.
MOSHA SHUMË E MADHE E TRAGETEVE
Në bashkëpunim me MTI-në, do të monitorohet gjithnjë e më rigorozisht cilësia dhe standardet e transportit të udhëtarëve, ku kusht bazë është ofrimi nga ana e operatorëve e anijeve më të reja në moshë. Udhëtari shqiptar nuk po paguan, as më pak dhe as më shumë, se pasagjerët e rajonit, por mosha e trageteve që u ofron këtë udhëtim, është shumë më e madhe, çka ndikon në cilësinë e shërbimit që i jepet.
Dëshiroj të theksoj se DPD-ja nuk është t’i kërkojë kujt llogari apo t’i bëjë dikujt karshillëk. Ajo ka sferën e vet të ligjshme të veprimtarisë, dhe është për të shtruar shinat e një sistemi bashkëkohor të detarisë shqiptare, pa të cilën çdo port do të ishte vetëm një copë beton dhe 3 hekura vinçash. Vizioni i drejtuesve të porteve duhet ta përqafojë këtë mision, siç aktualisht ka kooperuar me sukses me disa nga drejtuesit dhe janë ndier frytet e përbashkëta.
* Përmbledhje e fjalës në konferencën mbi arritjet e vitit 2014 dhe sfidat e vitit 2015 në sektorin e porteve dhe transportit detar, të mbajtur më 21 janar 2015 në Durrës. Titulli, nëntitujt, sqarimet dhe redaktimi janë të “Dyrrah”-ut (durreslajm.com).
** Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare më seli në Durrës.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





