Nga Alfred Ziu*

 Shekulli i internetit e ka zhytur njerëzimin në honet e një adoleshence të përgjithshme, në një kohë që letërsia, pse jo vetë poezia, duket se ka humbur besimin kur flet në emër të kulturës së përgjithshme dhe kërkon të krijojë një lloj përsosmërie të përkohshme me vetveten dhe për vetveten, qëllim ky, i cili realizohet shpesh duke pranuar përvojën jetësore të lexuesit, me fjalë, imazhe, simbole, ngjarje, tinguj, ide… Prapë se prapë, jemi të detyruar të pranojmë se poezia, gjithaq, të ofron fjalën e lexuar dhe imazhin në parametrat e kuptimit intelektual, shqisor dhe emocional… Gjithë sa pranojmë, poezia vetë, është e paparashikueshme… është fantazma kapricioze e kujtesës në luftë me ëndrrën… është të qenit diku tjetër… Poezia – si forma – më e ashpër e lirisë individuale, është e vërteta e poetit perëndi, e poetit fëmijë i absurdit dhe ekzistencës… kësisoj, poezia nuk fsheh stil në vetvete, vetëm se mbetet gjithmonë një përpjekje serioze për të kuptuar vetveten, ku prania mistikës, si prania e gjithëhershme e një hapësire boshe, ka nevojë të lexohet si poezi, me praninë dhe bukurinë e tejpashme që kërkon të mbjellë në kujtesë fjala e lexuar.

Në një sfond të tillë përsiatjesh, vëllimi poetik“Inanna” i Gladiolë Busullës kultivon vëmendje mbi inteligjencën dhe emocionet e lexuesit, ku dhe nis të funksionojë mbi botën e një përvoje të përgjithshme. Vështruar si fenomen, “Inanna” na ofron një natyrë mistike, me elementët e saj subjektivë shtrirë në shtratin e krijimtarisë, njëherësh evokon joshjen e mendimit, që bota mistike e ka krijuar tashmë nëpërmjet figurave të saj, dhe mbi të gjitha, duke iu referuar gjithmonë e më tepër asaj që një “fizionomi” arrin të sjellë forma të gjalla e interpretimit, – Inanna, zotëruese e të gjithë emocioneve, – e bën poezinë gjithmonë të re, duke u shndërruar kësisoj në bekim dhe shpëtim për të. Pse jo, Inanna është vetë poezia që krijon arketipin femëror të krijimit, të lindjes së artit, Inanna është vetë shtrati i dashurisë ku vdes dhe ringjallet jeta… Inanna është çast “Frymëmarrje Euforioni” është prani “Yjet numëro me mua”… Inanna ëshë shprehje e apokalipsit të përjetshëm të shpresës, aq sa një gjë e tillë bën, që në përgjithësi veprimi i poezive të lëvizë dukshëm në diapazonet e shpresës…

Duke pranuar feminilitetin e kësaj figure mitologjike që vjen në konceptin e një audience, dhe pikësëpari, vendos kompozicionin e poezive në një rrafsh të pranueshëm në vetëdijen dhe në mënyrën intuitive të lexuesit, bën që reagimi specifik i këtij të fundit, të fashitet në hamendësimin e një lexuesi të padukshëm, i cili me një inteligjencë natyrale, arrin të shmangë tendencat e Ezra Paundit për të shpikur një lexues ideal, duke qëndruar kësisoj në rrafshin e përpjekjeve të gjithsecilit për të sjellë në jetë dhe kultivuar fjalën e lexuar…

Shtresa lëndore e mitit “Inanna”, pak nga pak, shndërrohet natyrshëm në kujtesë ose më saktë në prani që dëshmon luftën dhe prirjet e së moralshmes. Një gjë e tillë nuk evokuon thjesht një pasqyrim estetik, por dëshmon se estetikja është pjesë e së mundshmes në jetën e gjithësecilit, që në këtë rast nëpërmjet poezisë, ose nënshtrohet ose fitohet…

Ndaj poezitë e këtij vëllimi kanë një regjistër të ndjeshëm përceptimesh dhe përcjellin një vizion të ftohtë (të kujdesshëm) dhe të lexueshëm. Duke e analizuar në mënyrë instiktive situatën, poetja nuk kërkon të shkrijë në terrenin e poezisë, si mënyra apo forma të vlerësimit bashkëkohor, standarde të reja që vlerësojnë mitin nga një këndvështrim sipërfaqësor dhe shkëlqim konvencional. Thjesht,  mistikja vjen si një instikt i pagabueshëm që nuk të lejon të humbasësh, që hyjnon atë që është dhe mbetet trashendentja e përmbushjes te lexuesi, dhe njëherësh i ofron poetes modelin e një polemike thumbuese dhe vetëdijen të përcjellë imazhe dhe tone të kohës sonë…

Një figurë e tillë (e arsyeshme), si “Inanna” zbret vetvetiu thellë deri në honet e dyzimit të shpirtit njerëzor, edhe kur lexuesi sillet si gentleman i vërtetë; një figurë kurdoherë triumfuese, por e ndëshkuar prej fatit, nuk mund veçse të përbëjë edhe natyrën morale të poezisë. Një figurë e tillë arrin të shmanget duke lënë shpirtin të bëhet zot i fatit; një figurë që nuk absolutizon atë që është e moralshme, nuk e absolutizon triumfin e fjalës, madje – madje ajo e servir fjalën në shtresat e inerpretimit, si një objekt i tablosë së mirëseardhjes, e luftës së heshtur për të pranuar atë që është etike.

Kështu, në libër hasim teknikën karakteristike të poezisë së ndërtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, ku me anë të stilit bisedor, që operon në kufijtë e prozës, spikasim plotshmërinë e imazheve të fuqishme bashkëkohore dhe gëlimin e intenditet emocional nën sipërfaqe të zhveshur nga emocionet… gjithçka është shprehur në mënyrë të padiskutueshme më një zë karakteristik të vetë poetes dhe në një pentagram të veçantë (Inanna pa as një mëdyshje bëhet pjesë e zbulimit të zërit të saj vetjak).

Natyra e Inannës nuk fsheh arsyen për t’i besuar poezisë me fuqinë e mitit, porse kërkon të ndalemi në magjinë dhe në kufijtë e angazhimit për të lexuar, duke besuar se “Inanna”, njëlloj si fjala, është vetë natyra që flet, është natyra që zbulon vetveten, që zbulon ekzistencën e saj, pafundësinë e gjallesës që lëvrin në të…

Që nga “Dialog me zemrën” e deri tek imazhi i “Nënë – fëmijë” poezia lëviz në mënyrë të kujdeshme brenda patosit…. një poezi me forcën e përgjithësimit, që shpesh bie në sentimentalizëm të dukshëm, ndonëse vihen re përpjekje për shpresa të vagëllyera… një poezi shpesh e ndërtuar mbi përfundime, të cilat e arrin të rrëmbejë lexuasin në mënyrë të papritur, aq sa nuk ka kohë të përthithësh vetë vlerën e vërtetë të poezisë… një poezi ndërtuar mbi tonalitete melankonike, ku lumturia ekziston vetëm si një prekje…prapë se prapë poezia është ndërtuar duke anashkaluar strofat, e shtrirë brenda një itegritetit konceptual që përfaqëson edhe një strukturë të caktuar. Brenda kësaj hapësire vihet re se fjala nuk ka tendencë të shtojë diapazonin e njohjeve (që lexuesit zakonisht kërkojnë tek poezia). Përqendrimi i ritmit, lëvizja e vargjeve, që shpesh bëhet edhe në mënyrë telegrafike, zgjon në vetëdijen e lexuesit interesin e një mendimi të thjeshtë e të sinqertë, aq sa një gjë e tillë e shtrin poezinë të mbetet në hone nostalgjike dhe fjala të shprehë një mënyrë toksore dhe të matur, ku,  – mbizotëron toni i njeriut që zotëron një përvojë personale dhe me stoicizëm ka kthyer sytë nga jeta.

Në aktin krijues të poetes, në përkushtimin e saj shpirtëror, por edhe në përkushtimin e saj drejt përvojës së lexuesit, nga vëllimi i parë “Dëshirë përsosmërie” te vëllimi i dytë, synohet drejt përcaktimit dhe konsolidimit të një tradite. Inanna synon të kthehet në traditë, që do të thotë të flasësh për traditën, të ngjallësh traditë, po aq sa mund të të keqkuptojnë kur përdoret fjala traditë. Pra, të ngjallësh imazhin e një perëndie sumere nga myky i kohërave, përveçse gjithë sa thamë, vjen me përmasat e një “tradite që ofron epokë”, e kemi fjalën për diçka më pak madhështore dhe shumë praktike… e kemi fjalën pikërisht për atë pjesë të vogël të së  shkruarës së poetes që ka nevojë dhe gjen çastin të funksionojë duke u lexuar…

Siç na rrëfen vetë “Inanna” poezia zotëron ende një vesh të kultivuar për të laguar një muzikalitet  tradicional dhe për të mbërritur tek vargjet dhe frazat e goditura. Asnjë poezi nuk tingëllon ngulmuese  në përvojën e poetes grumbulluar nga jeta, apo nga domeni letërsisë, aq sa çdo varg vjen si një mishërim i mos nënvlftësimit për t’u lexuar, pra çdo varg arrin të tingëllojë në mënyrën e sinqertë dhe të hapur duke ofruar një mënyrë aktive bashkëpunimi me lexuesin, duke i ofruar atij herë pas here një skemë të përbashkët reference…

Duhet të pranojmë se tek “Innana” gjatë leximit shfaqet një zë i ngrohtë, që nuk të flet nga një tavolinë tjetër aty rrotull, por është një zë lind dhe buron së bashku me mendimet tona. Po të analizojmë me hollësi, një tingëllim i tillë e bën poezitë elegante, aq sa uniteti i tyre është stilistikor dhe kuptimi i tyre qëndron në metodën e ndërtimit…

Në vëllim përcillen poezi të shkurtra, të cilat të japin mundësinë të shohësh se si lëviz imagjinata, deridiku, struktura e tyre e brendshme është e pakapshme, megjithëse kapërcimet nga skena në skenë, nga imazhi në imazh, bëhen të pranueshme aq sa nuk harrojmë të pranojmë se na qëndrojnë bukur në mendje…

Idetë, që përcjell poezia, shndërrohen në një temë me varicione, ku çdo instrumentist improvizon brenda një tonalitetit të nevojshëm. Vetë muzikaliteti, vëllimi që përshkon atmosferën e poezive, i shmang ato si lodra sipërfaqësore fjalësh dhe imazhesh….

Së fundmi, duhet të kujtojmë se tek “Innana” nuk prekim vetëm përkushtimin dhe vetëdijen e poetes, por gjithsesi duhet të rrëmojmë dhe të prekim përpjekjet e Konicës, për vizionin e një kombi modern pa “bashkëkombas”, të spikasim përpjekjet e Bodlerit, që kishte parasysh një lexues, të cilit poezia lirike i shkakton vështirësi, aty mund të lexojmë përpjekjet e Prustit, që e kuptonte fare mirë se e kaluara mbetet jasht fashitjes së inteligjecës sonë në veprimet e saj mbi sendet….

Prapa poezive shtjellohet një panoramë harmonike dhe në mënyrë sinonimike ndjehet peizazhi shpirtëror, që shpesh  përfundon me një kadencë brenda një regjistri të ndjeshëm poetiko-emocional (Dimër) …. kadencë me një tingëllim poetiko-filozofik (Zëri.)

Pavarësisht nga një ton shpërthyes, prania e poezisë endet në hapësirat e identitetit, ku shfaqet një Kastriot dhe  “çdo e nesërme nuk ngurron të jetë dje”… edhe kur nxjerr në pah shpirtin njerëzor te “Premtim i shkelur”… poezia  e Gladiolës bëhet interesante…

Sa më pak pretendime të kemi te poezia, aq më më shumë duhet të përpiqemi për ta lexuar atë me dëshirë:

Kur imitojmë ëndrrat e njëri-tjetrit, për të përfundur pastaj në mjerim milingonash.

 

* Autori është autor dhe botues nga Durrësi. Në foto: Poetja Gladiola Busulla duke recituar në Berat.