PRISHTINE– Komisioni i Punëve të Brendshme dhe i Sigurisë është duke e shqyrtuar mundësinë e thirrjes së ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një dëgjim publik, ku do të diskutohet mbi skandalet e njëpasnjëshme në MPB.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka qenë i mendimit që Rexhepi të thirrej në interpelancë, por, për shkak se Komisioni nuk mund të bëjë një kërkesë të tillë, atëherë kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi, ka propozuar që procedura për thirrjen e Rexhepit në Kuvend, të qartësohet në takimin e radhës që do të mbaj Komisioni, raporton Koha Ditore. 

Thirrjen për raportim nuk e ka mbështetur Rexhep Selimi i LVV-së, me arsyetimin se raportimet e deritanishme nuk kanë prodhuar ndonjë efekt konkret. 

Ai ka rikujtuar se Rexhepi, në raportimin e fundit që ka bërë para Komisionit nuk është ndarë “miqësisht”. Më 4 dhjetor të vitit të kaluar, Rexhepi pati dalë i tensionuar nga Komisioni për shkak të kritikave që kishte marrë lidhur me mënyrën se si është duke e ushtruar mandatin ekzekutiv. Gjithë nervozizëm, ai i pati thënë Ahmet Isufit se nuk është paraqitur në Komision për të marrë udhëzime se si duhet të punojë, por për të raportuar për gjendjen e sigurisë.