Prej disa ditësh, përgjatë shëtitores së re bregdetare në zonën e plazhit vijon puna për mbjelljen e 110 pishave të buta, të llojit Pinus Pinea. 

Nisma e bashkisë është mirëpritur nga qytetarët e Durrësit dhe banorët e zonës.

Faza e parë e investimit në shëtitoren bregdetare, ku u ndërtua pista e këmbësorëve dhe ajo e korsive të biçikletave përfundoi verën e vitit të kaluar dhe për të u shpenzuan 285 milionë lekë. Ndërkohë ende nuk ka një afat se kur do të nisë faza e dytë e investimit për ndërtimin e shëtitores nga Rrota e Kuqe deri tek Ura e Dajlanit.

Ndërsa plazhi i Durrësit përgatitet për të mirëpritur qindra mijëra turistë, për banorët e zonës ka ende disa gjëra për t’u përmirësuar me qëllim ofrimin e të gjitha shërbimeve të nevojshme, si banjot dhe plazhet publike, mbajtja pastër e mjedisit etj.

Shëtitorja e plazhit është një projekt i rëndësishëm që i shërben turizmit, por edhe banorëve që jetojnë në këtë zonë. Krahas pishave të buta, në shëtitore janë planifikuar të mbillen edhe pemë e shkurre të tjera dekorative.

M.B.