DURRES, 01 mars 2013 – Dhjetëra palma janë mbjellur sot përgjatë aksit rrugor në anë të shëtitores Taulantia, në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit. Burime nga bashkia e Durrësit bëjnë të ditur se mbjellja e palmave në këtë aks është në kuadër të nismës “Një pemë një jetë”, që konsiston në mbjelljen e 860 pemëve dekorative në të gjithë qytetin bregdetar.

Prej disa ditësh punonjësit e ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit të qytetit patën hapur gropat për mbjelljen e palmave shtatlarta, por ajo që të bën përshtypje është fakti se palmat janë duke u vendosur vetëm në anën e majtë të aksit rrugor që të çon drejt Currilave, ndërkohë në anën e djathtë të rrugës gjelbërimi mungon tërësisht.

Në muajin dhjetor, kur nisi zbatimi i projektit për mbjelljen 860 pemëve dekorative në qytet, kryebashkiaku Vangjush Dako u shpreh se “Një nga prioritetet e Bashkisë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër për qytetarët. Në këto 5 vjet me nismën tonë “Një jetë një pemë” kemi mbjellur rreth 5 mijë pemë ndërkohë që edhe pse në situatë të vështirë financiare ne do të vazhdojmë çdo vit me mbjelljen e pemëve dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta sepse ky është një investim i rëndësishëm për qytetarët e Durrësit”.   

Bashkia e Durrësit ka planifikuar që përgjatë këtij viti të realizohet mbjellja e 860 pemëve dekorative, të llojeve palmë dhe gështenjë e egër dhe vlera e investimit në fjalë është 38 769 696 lekë.

Gjatë këtyre viteve që mban postin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako është akuzuar jo pak nga banorët e qytetit për betonizimin e gjithçkaje dhe pakësimin e sipërfaqeve të gjelbra. Përveç qytetit, situata më problematike është në zonën turistike të plazhit, ku gjatë këtyre viteve nuk është planifikuar asnjë hapësirë e rezervuar për krijimin e lulishteve dhe ambjeteve të tjera të gjelbëruara. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/