Efektivët e rendit kanë nisur proçedimin penal në mungesë për dy shtetas që kultivonin cannabis sativa në oborret e shtëpive të tyre. Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë kanë bërë të ditur se shtetasit Shpëtim Tema, banor i fshatit Gjuricaj, Ishëm si dhe Erges Duka, banor i fshatit Luz, në Krujë, kishin mbjellë në oborret e shtëpive të tyre bimën narkotike.
Gjatë një kontrolli të ushtruar nga efektivët blu është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 27 rrënjësh bime narkotike të llojit cannabis sativa.
Ndërkohë gjatë kontrollit të efektivave të policisë dy shtetasit e sipërpërmendur nuk ndodheshin në shtëpi e për këtë arsye policia i ka shpallur shtetas në kërkim, ndërkohë që ka nisur procedimin e tyre penal duke ia kaluar të gjitha materialet prokurorisë së Durrësit dhe Krujës për hetime të mëtejshme.
Mbi Temën dhe Dukën rëndon akuza e kultivimit të bimëve narkotike, vepër penale e parashikuar në nenin 284 të Kodit Penal.