Durrës, 11 shtator 2014 – Operacion i gjerë kontrolli në rrethin e Krujës për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të sotëm janë asgjësuar 2509 rrënjë kanabis sativa, të kultivuara në 35 parcela, janë ndaluar dy shtetas, po procedohet në mungesë një i tretë dhe vijon puna për identifikimin e autorëve të rasteve të tjera të kultivimit.
Gjatë kontrolleve u gjetën e sekuestruan edhe 2 armë zjarri si dhe një sasi fishekësh. Operacioni dhe veprimet per kontrollin e territorit përfshinë një rreze të gjerë veprimi në rrethin e Krujës, ku lënda narkotike u evidentua në parcela të ndryshme si në sipërfaqe të shpyllëzuara, midis bimëve bujqësore të kultivuara, në pemishte me ullinj, në parcela buzë lumit apo liqenit, etj. Bimët narkotike të evidentuara u asgjësuan me djegie.
Në kuadër të këtij operacioni policer janë ndaluar shtetasit Liman Caca, 39 vjeç dhe Shkëlzen Caca, 30 vjeç, të dy banues në Kurcaj.
Gjithashtu filloi proçedimi penal në mungesë për shtetasin Fiqiri Caca, 54 vjeç, banues në Kurcaj, të cilit përballë banesës, në një livadh në pronësi të tij, iu gjetën të mbjella 170 rrënjë bime narkotike të llojit kanabis sativa, si dhe në sipërfaqen e tij të tokës mbjellë me misër në fshatin Zezë iu gjetën të mbjella edhe 15 rrënjë të tjera kanabis. U bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Bura Krujë, në vendin e quajtur brinja veriore e lumit Zezë, krahas një parcele të mbjellë me 50 rrënjë bimë narkotike, u gjetën të fshehura në ferra edhe dy armë zjarri pushkë model 56 dhe 47 copë fishekë. Po punohet për identifikimin e autorëve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





