Teksa reforma në drejtësi synon rritjen e cilësisë, transparencës dhe shpejtësisë, në gjykatën e Durrësit çdo vit mesatarisht regjistrohen afro 8 mijë çështje dhe me to përballen vetëm 15 gjyqtarë, teksa gjatë vitit 2019 pritet që organika të zbresë në 14 gjyqtarë.

Kryetarja e gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës, Joana Qeleshi, sqaron se ky numër nuk i përgjigjet ngarkesës së çështjeve që shqyrton gjykata, e cila vit pas viti ka ardhur në rritje.

Fluksi i padive që regjistrohen çdo ditë, sjell jo vetëm një ngarkesë të dosjeve por edhe zvarritje gjyqesh. Një gjytar pranë këtij institucioni në ditë ka trajtuar 10-15 çështje, ose rreth 450 çështje për vitin 2018.

Kjo ministrukturë gjyqtarësh mundohet të mbajë nën kontroll zgjidhjen e dosjeve, por fluksi në rritje i padive vë në diskutim përballimin e tyre.

Në këto kushte, gjykata e rrethit Durrës, mbetet në pritje të miratimit të hartës se re gjyqësore, me qëllim rritjen e numrit të gjyqtarëve, të paktën me dyfishin e numrit aktual të togave të zeza.