DURRËS, 1 shtator 2014 – Deputeti më “luftarak” i së majtës Erion Braçe, jo vetëm përgënjeshtron raportimet e medieve për mbledhjen në “Adriatik” 2 në Durrës, por nuk ua quan për nder kolegëve gazetarë kur e rreshtojnë mes “senatorëve”, ndërkohë që nuk rri pa u “gricur” me z. Berisha në fund.
Në një postim në FB më 1 shtator 2014, deputeti socialist Erion Braçe shkruan se ndjehet i neveritur nga lajmet për mbledhjen e grupit parlamentar në Durrës, më 31 gusht 2014.
Ja “lajmi” sipas gazetarit-deputet:
“I neveritur nga “lajmet” e sotme [1 shtator 2014] mbi mbledhjen e djeshme (31 gusht 2014) të grupit parlamentar të PSSH, sinqerisht!
Ky raportimi për ta ndarë këtë grup, në një përpjekje të vazhdueshme, në “të tjerë” dhe “senatorë”, është sa qesharak aq dhe i pavërtetë.
Mbledhja e [në foto salla] ishte një akt përgjegjëshmërie ndaj detyrës, angazhimeve të marra, llogaridhënies, korrigjimit të sjelljes, eliminimit të mangësive, barazisë mes njeri tjetrit si deputetë, por edhe mes deputetëve e anëtarëve të Qeverisë, gjithnjë në funksion të përmbushjes së detyrimeve jetike ndaj qytetarëve.
Të gjithë folën hapur!
Kërkush nuk foli nga pozita sipërore ndaj kolegut në krah, qoftë si deputet, qoftë si ministër.
Madje edhe drejtuesit, kryetari i grupit dhe Kryeministri, nuk e patën e as e ushtruan këtë “status” nga fillimi i mbledhjes deri në fund të saj; çdo gjë tjetër nuk ka vlerë!
Kolegëve të mi gazetarë po ua them sot: as që e shoh për vlerësim këtë termin “senator” në krah të emrit tim.
Unë jam deputet i PS-së dhe punoj nën këtë mandat!!
Po, për këtë shkruani, gjykoni, kritikoni, vlerësoni, sugjeroni, madje dhe kërkoni llogari çdo ditë!
Puna është detyrimi im dhe yni.
Puna është vlerë dhe, nëse ju duhet të ndërtoni një sistem hierarkik, atëherë vendosni punën në bazë të tij; kjo ka vlerë e kjo do të mbahet mend.
Numri i mandateve në këtë vend ka kuptim vetëm për efekt pensioni!
Shihni Sali Berishën dhe e kuptoni”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”





