“Këshilli ka qenë një hallkë kyçe në realizimin e pogramit të rindërtimit dhe një mbështetje e madhe për punën që ka bërë bashkia e Durrësit në këto vite plot sfida”.

Kështu u shpreh ndër të tjera në fjalën e saj në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Durrës kryebashkiakja Emiriana Sako.

Mbledhja e mesditës së kësaj të hëne ishte mbledhja e fundit për KB-në aktuale, para konstituimit të këshillit të ri të dalë nga zgjedhjet e 14 majit.

Ndryshe nga çfarë kishte ndodhur në këto 33 vite demokraci, kjo ishte hera e parë që në një mandat 4-vjeçar, Këshilli Bashkiak të ishte thuajse njëngjyrësh (vetëm këshilltarë të PS + 1 këshilltare e FRD) për shkak se opozita bojkotoi zgjedhjet lokale të qershorit 2019.

Në këtë mbledhje të fundit, këshilltarët e pranishëm miratuan në unanimitet të vetmen pikë të rendit të ditës:

PËR MIRATIMIN E FAMILJEVE PËRFITUESE TË NDIHMËS EKONOMIKE NGA FONDI I KUSHTËZUAR PËR BLLOK-NDIHMËN EKONOMIKE DERI 6 % DHE FONDI I TË ARDHURAVE TË BASHKISË DURRËS, PËR MUAJIN MAJ 2023

Në këshillin e ri bashkiak të dalë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, shumë nga këshilltarët socialistë nuk do të jenë më pjesë e tij, për t‘u zëvendësuar nga këshilltarë të rinj.