TIRANE,5 shtator 2013- Qeveria Berisha mblidhet sot për të miratu ar mbi 70 vendime, që nga zyrtarizimi i dorëheqjeve të zv/ministrave deri tek vendime të tjera të rëndësishme të karakterit ekonomik. Mbledhja e qeverisë, sipas të gjitha gjasave do të drejtohet për herë të fundit nga kryeministri Berisha përpara se parlamenti të miratojë kabinetin e ri javën e ardhshme. Berisha do të mbledhë sot qeverinë për të miratuar një volum të madh dosjesh ndërkohë që nesër do të drekojë në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai e ka ngjeshur shumë axhendën e ditëve të fundit dhe burime nga kryeministria thanë për "GSH" se pritet që kryeministri të mbajë një konferencë të fundit para mediave ditën e shtunë për të bërë një bilanc të qeverisjes së tij gjatë 2 mandateve.
MESAZHI I RIKER
Ndërkohë që qeveria Berisha përgatitet t'ja lerë stafetën asaj të drejtuar nga Edi Rama, mesazhe pozitive vijnë nga SHBA për Partinë Demokratike në opozitë. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bindjen se opozita e re shqiptare do të jetë e fortë dhe konstruktive dhe se do të ketë mbështetjen amerikanë në misionin e saj. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin mbështetje ndaj Shqipërisë dhe mazhorancës së re në rrugëtimin drejt integrimit evropian. Po ashtu SHBA i konsiderojnë zgjedhjet e 23 qershorit si një sukses të Shqipërisë". Kjo iu bë e ditur zv.ministres së Punëve të Jashtme, Znj.Edith Harxhi, e cila po merr pjesë në punimet e Forumit Strategjik në Bled, Slloveni nga Asistent Zv.sekretarin e Shtetit Z.Philip Reeker. Z.Reeker i shprehu zonjës Harxhi opinionin e tij dhe të Departamentit të Shtetit në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, duke thënë se ato ishin një sukses për Shqipërinë dhe Qeveria Berisha dhe Kryeministri Berisha ka meritën për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve më të mira në Shqipëri. Zonja Harxhi nga ana e saj shprehu mendimin se opozita e re në Shqipëri do të jetë një forcë solide dhe konstruktive në të mirë të integrimit të vendit dhe se Shtetet e Bashkuara do të gjejnë tek opozita e re e Shqipërisë një partner të fortë për bashkëpunim. Palët diskutuan në lidhje me situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, Parlamentin e ri dhe përbërjen e tij si dhe sulmet e fundit ndaj institucioneve kushtetuese veçanërisht ndaj Presidentit, duke shpresuar se këto sulme nuk do të vazhdojnë më tej dhe se kjo do të ishte mënyra për të marrë, gjithashtu statusin e vendit kandidat brenda këtij viti.
Z.Reeker shprehu edhe një herë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë Amerikane ndaj Shqipërisë dhe bindjen e tij se opozita e re e Shqipërisë do të jetë konstruktive dhe e fortë dhe se do të ketë mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në Bled, Slloveni, zv.ministrja e Punëve të Jashtme pati takime edhe me ministra të Jashtëm të vendeve të rajonit dhe këmbeu pikëpamje në lidhje me situatën aktuale në rajon.
/Gazeta Shqiptare/





