Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak Durrës u miratuan me shumicë votash të gjitha pikat e rendit të ditës.

Këshilltari demokrat Joni Myshketa kërkoi gjatë mbledhjes nga kryetarja e bashkisë Emiriana Sako sqarime lidhur me planin e mbledhjes së të ardhurave dhe barrën fiskale që rëndon në buxhetin e institucionit të qeverisjes vendore nga menaxhimi i mbetjeve urbane.

“Ne kemi realizuar mbledhjen e të ardhurave në nivelin 87% në vitin 2023, e cila nuk ka qenë asnjëherë kaq e lartë. Shpenzimet janë arritur në nivelin 78%. Pra nëse do të bëjmë një mesatare të të gjithë shifrave që përmendët ju, por edhe të tjera që nuk i prekët në fjalën tuaj sinqerisht ka vend për të përmirësuar punën në terren.

261 milionë lekë është pagesa që ne i detyrohemi landfillit të Sharrës për depozitimin e mbetjeve dhe këtu kemi politika për të bërë uljen e këtij volumi, që do të vijmë patjetër pas hartimit  të masterplanit të mbetjeve ku do të përcaktohet dhe stacioni i transferimit. Ndërtimi i stacionit të transferimit do të sjellë fillimin e konceptit të diferencimit që në burim të mbetjeve dhe patjetër do të çojë në uljen e kësaj tarife”,- tha Sako.

Me votat e të gjithë këshilltarëve të pranishëm u miratua që lulishtja në hyrje të Durrësit të marrë emrin e personalitetit të njohur të kulturës shqiptare, Moikom Zeqo, të ndarë nga jeta  në muajin qershor 2020.

Megjithëse nuk ishte parashikuar në rendin e ditës, në fillim të mbledhjes, kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë Rolant Xhelilaj propozoi që KB të miratonte një emër të ri si nënkryetare e këshillit, post që mbahej deri pak muaj më parë nga Alneida Rroshi.

“Duke pasur parasysh që nënkryetarja ishte zonjë, mendoj të mbetemi në të njëjtën linjë dhe propozojmë zonjën Denisa Luarasi”.

Propozimi i Xhelilajt u miratua në unanimitet nga të gjithë këshilltarët e pranishëm. Në fund të mbledhjes u lexuan dy raportime nga stafi i bashkisë, që lidheshin me “Parandalimin e dhunës me bazë gjinore” dhe “Auditimin e ndërmarrjeve në varësi të bashkisë”.

Raportimi për dhunën mbi bazën gjinore u shoqërua me një debat mes këshilltares demokrate Edlira Shemsi dhe kryetarit të KB-së Ani Dyrmishi.

Ndërsa këshilltarja Shemsi kërkonte sqarime nga bashkia lidhur me statistikat e grave dhe vajzave të dhunuara e që u është ardhur në ndihmë, Dyrmishi i kërkoi asaj të mos ndërhynte herë tjetër pa i dhënë ai fjalën.

“E bën shpesh këtë gjë. Radhën tjetër do të të përjashtoj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak”,– tha Dyrmishi.

Këshilltarja Shemsi e akuzoi Dyrmishin për intimidim.

Si kryetar i Këshillit intimiduat një grua, si kryetar i Këshillit intimiduat një grua!”,- përsëriti dy herë këshilltarja Shemsi në fund të mbledhjes.

M.B.