Pikat nr. 14 dhe 15 të mbledhjes së radhës së Këshilit Bashkiak Durrës ishin të vetmet që morën votat kundër të këshilltarëve të opozitës.
Madje pika nr.14 që lidhej me projekt dokumentin e programit buxhetor afatmesëm 2025-2027 nuk arriti të kalonte, pasi mori vetëm 23 vota pro dhe 9 kundër, ndërkohë që nevojiteshin 26 vota pro.
Përfaqësuesit e të djathtës dhe së majtës në Këshillin Bashkiak shpjeguan arsyet e këtij votimi.
“Studimi që i kemi bërë programit buxhetor me kalimin që i bëmë në Këshillin Bashkiak ne deklaruam votën tonë kundër. Mënyra sesi është servitur dhe mënyra sesi po shkojnë investimet dhe shpenzimet për qytetin e Durrësit të propozuara nga bashkia edhe në mbledhjen e mëparshme të Këshillit ne deklarojmë votën kundër”,- tha këshilltari i PD Ardian Muka.
“Pra qytetarët ta kuptojnë sa të gatshëm janë dhe sa i gatshëm është shoku Muka që qyteti të zhvilllohet. Ky është dokumenti i parë paraprak që shkon për njësitë, që shkon tek qytetari për të marrë ato kërkesa që ato kanë”,- tha në reagimin e tij kreu i grupit të këshilltarëve të PS, Rolant Xhelilaj, pasi kjo pikë u rrëzua në votim.
Vlen të përmendet fakti që nëse këshilltarët e PS do të kishin qenë të gjithë të pranishëm në sallë, pika e rendit të ditës do të kalonte pasi grupi socialist ka 28 vota të sigurta nga këshilltarët e vet.
Ndërkohë, pika tjetër që u votua kundër nga këshilltarët opozitarë dhe madje u shoqërua me replika e kundër replika lidhej me krijimin e Njësisë së koordinimit të procesit të legalizimit, një drejtori e re që do të funksionojë pranë bashkisë Durrës, ku do të punësohen 20 punonjës.
Sipas nënkryetarit të bashkisë Gentian Kallmi, numri i punonjësve të kësaj njësie mund të rritet sërish vitin e ardhshëm.
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo drejtori që do të ngrihet pranë çdo bashkie do të fokusojë punën e saj në koordinimin e punës me Agjencinë e Kadastrës, në mënyrë që procesi i legalizimit të mund të përmbyllet brenda vitit 2026, siç kërkoi pak kohë më parë kryeministri Rama.
Të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës u miratuan me votat pro të të gjithë këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.
M.B.