Ka përfunduar pas rreth 40 min mbledhja e Këshillit Politik e cila ka zhvilluar mbledhjen e radhës këtë pasdite, për të diskutuar mbi ndryshimet politike për Reformën Zgjedhore.

Në mbledhjen e sotme morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe negociatori socialist, Damian Gjiknuri, si dhe përfaqësuesit e opozitës parlamentare, si Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi.

Murrizi u shpreh e vetmja nismë ligjore që ka deformuar demokracinë në Shqipëri, është 21 prilli i vitit 2008, kur shqiptarëve iu mohua e drejta e zgjedhjes dhe theksoi se grupi i tyre nuk e voton marrëveshjen e 5 qershorit.

“Pati debat për gardhin, se nuk kemi për cfarë debatojmë aty. Ekspertët thanë se edhe nëse më 30 votohen ndryshimet kushtetuese nuk preket asgjë nga marrëveshja e famshme e qershorit. Kështu që nuk shoh pse nuk vijnë, cfarë kanë, që të na mbushin mendjen edhe neve.

E vetmja nismë ligjore që ka deformuar demokracinë në Shqipëri, është 21 prilli i 2008, që shqiptarëve iu është mohuar e drejta e zgjedhjes. Shqiptarët janë kthyer thjesht në votues, jo zgjedhës. Kështu që ndryshimet rregullojnë demokracinë, votën, aq sa mundet në Shqipëri.

Grupi jonë parlamentar për marrëveshjen e 5 qershorit është shprehur me firmë se nuk e voton. Ata janë gjithë kohën bashkë, vetëm orari i gjumit i ndan”, tha Murrizi.