Pas institucioneve financiare jobanka të mbledhjes së kredive të këqija, Banka e Shqipërisë ka vendosur masa mbikëqyrëse drastike edhe në segmentin e shoqërive të Kursim Kreditit.
Këtë muaj, Banka e Shqipërisë ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit të SHKK-ve “Perlat” dhe “Rrushkull One”.
Në bazë të raportit të ekzaminimit të veprimtarisë së Shoqërisë së Kursim-Kreditit “Rrushkull One” për periudhën 31 korrik 2021– 31 dhjetor 2023, grupi i inspektorëve të Departamentit të Mbikëqyrjes ka konstatuar një sërë problematikash dhe mangësish, të cilat përbëjnë shkelje të kërkesave të ligjit nr. 52/2016 “Për shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre”, si dhe të rregulloreve që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë në zbatim të këtij ligji.
Mbështetur në listën shumë të gjatë të shkeljeve të konstatuara, Banka e Shqipërisë ka Pezullimin e ushtrimit të veprimtarive financiare për të cilat është licencuar për një periudhë 6-mujore (31 janar 2025). Gjatë periudhës së pezullimit, SHKK “Rrushkull One” nuk mund të ushtrojë aktivitetin e kredidhënies si dhe nuk lejohet mbledhja e depozitave në çdo formë, përshirë edhe depozitimet në llogari rrjedhëse.
Gjatë periudhës së pezullimit, lejohet vetëm tërheqja e depozitave dhe shlyerja e kësteve të kredisë nga anëtarë të SHKK-së, si dhe transferimi i depozitave dhe kredive për qëllime të bashkimit me përthithje me SHKK “Perlat”.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka urdhëruar edhe kufizimin e rritjes së mjeteve financiare, duke përfshirë zërat jashtë bilancit me rrezik gjatë periudhës së pezullimit të ushtrimit të veprimtarive financiare për një periudhë 6-mujore (deri në 31 janar 2025) dhe ndalimin e rritjes së ekspozimit ndaj një anëtari ose pale të tretë për një periudhë 6-mujore dhe ndalimin e kryerjes së çdo lloj investimi për të njëjtën periudhë.
Ndërkohë, problematika e SHKK-së tjetër, “Perlat”, e ka origjinën qysh në vitin 2018, kur pas komunikimeve me Bankën e Shqipërisë subjektit iu kërkua likuidimi vullnetar i shoqërisë, Në mars 2018, SHKK “Perlat” njoftoi se do të mbështeste krijimin e një shoqërie të re, e cila do të përthithte edhe SHKK “Perlat” (Vendim i Asamblesë dt. 28.3.2018).
Në vitin 2021, Banka e Shqipërisë ka licencuar SHKK-në “Rrushkull One”, e cila është anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave në gusht 2021. Në plan biznesin e paraqitur nga SHKK “Rrushkull One” në momentin e licencimit, është parashikuar dhe procesi i bashkimit me përthithje me SHKK “Perlat”, ku SHKK “Rrushkull One” do të ishte shoqëria përthithëse). Për më shumë se tre vjet, ky proces nuk është realizuar.
Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka vendosur edhe pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë së kredidhënies dhe mbledhjes së depozitave të reja në çdo formë nga anëtarët e saj, të SHKK “Perlat” deri në datën 31 dhjetor 2024. Gjatë periudhës së pezullimit, lejohet vetëm tërheqja e depozitave me kërkesën e anëtarëve, shlyerja e kësteve të kredisë nga anëtarët e SHKK-së dhe transferimi i depozitave dhe kredive për qëllime të bashkimit me përthithje me SHKK “Rrushkull One”.
Gjatë periudhës së pezullimit, SHKK “Perlat” duhet të marrë të gjitha masat dhe vendimet e nevojshme për të finalizuar bashkimin me përthithje me SHKK “Rrushkull One”.
Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milion lekëve. Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Megjithatë, disa prej SHKK-ve ende nuk janë anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave, sipas kërkesave ligjore.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 16 SHKK të licencuara, por pesë prej tyre e kanë pezulluar aktivitetin në periudhën 2015-2016. Mbështetur në informacionin zyrtar ngelen 11 SHKK aktive (përfshi dy SHKK-të e pezulluara këtë muaj), por Agjencia e Sigurimit të Depozitave raporton vetëm nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave./MONITOR