Ditën e sotme, duke nisur nga ora 10:00 do të mbahet në Elbasan mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Ndërkohë janë zbardhur disa prej marrëveshjeve që pritet të miratohen sot mes dy qeverive.

Një prej marrëveshjeve është ajo për sigurimet shoqërore, ku është kërkuar autorizimi për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, përmes një aplikimi të thjeshtë dhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një prononcim për mediat ka bërë të ditur se marrëveshja në fushën e arsimit do të jetë për lehtësim të procedurës së njohjes së diplomave.

Po ashtu do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë.

Ndërkohë që pritet që të ketë edhe marrëveshje në fushën e sigurisë. Të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të marrin lejen e qëndrimit në afat 5-vjeçar së bashku me lejen e punës në Shqipëri, vetëm me një aplikim të thjeshtë. Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi duhet shtuar se kjo do të nënshkruhet të premten në takimin e përbashkët të mes dy vendeve.