Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e quajti hipokrizi kërkesën e qeverisë së Kosovës për të hequr barrierat kufitare me Shqipërinë. Deklaratën, Vuçiç e bëri në Novi Sad, gjatë festimeve për 100-vjetorin e bashkangjitjes së krahinës së Vojvodinës me mbretërinë serbe, ku zbuloi edhe shtatoren e re të mbretit Pjetër i Parë Karagjorgjeviç.
"Shoh se është caktuar një mbledhje e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë, ku duan të heqin të barrierat kufitare. Por ky është kulmi i hipokrizisë jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë e Shqipëri, por edhe për ata që i lejojnë të ndërmarrin veprime të tilla."
Duke përcjellë lajmin për mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, shtypi serb shkruan se kjo mbledhje ve vulën krijimit të Shqipërisë së Madhe.