Ditën e hënë, më 27 shkurt do të zhvillohet mbledhja e dytë e përbashkët mes qeverisë të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi. Takimi do të mbahet në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi në Podgoricë. Zyra për shtyp e Kryeministrit Edi Rama ka bërë me dije të gjithë axhendën e ditës së nesërme.

Në orën 10:30 pritet që të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes dhe prezantimi i dy delegacioneve. 45 minuta më vonë pritet që të nisë seanca e përbashkët. Ndërkohë në orën 13:00 është parashikuar nënshkrimi i deklaratës së përbashkët dhe marrëveshjes dypalëshe për ndërtimin e urës në lumin Buna.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat e dy vendeve Edi Rama dhe  Dritan Abazoviç do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Por përveç marrëveshjes për lumin Buna mes dy qeverive pritet që të nënshkruhen edhe disa marrëveshje dhe memoranume të tjera në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi do të nënshkruhen këto marrëveshje bashkëpunimi:

1.Deklaratë e Përbashkët midis Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazovic, në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverive Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi

2.Marrëveshje bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës.

3.Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin Republikës së Shqipërisë

4.Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi.

5.Marrëveshje bashkëpunimi në fushat e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi.

6.Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi.

7.Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi.

8.Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë së Malit të Zi.

9.Programi i bashkëpunimit kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi për periudhën 2023-2025.

10.Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi.

11.Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetit të Malit të Zi.