TIRANE,30 shtator 2013– Qeveria e re pritet të zhvillojë mbledhjen e radhës pasditen e sotme në orën 18:00. Në mbledhjen e sotme pritet emërimi i zëvendës/ministrave dhe miratimi i aktit normativ për ligjin e nëpunësit civil. 
Ligji i nëpunësit civil është bërë shkak për një debat të nxehtë mes palëve gjatë ditëve të fundit. Mazhoranca pretendon se ligji i nëpunësit civil, që është miratuar me tre të pestat përpara zgjedhjeve, është i pazbatueshëm, pasi nuk janë nxjerrë aktet e domosdoshme nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm. 
“Kjo çka ne kërkojmë, sugjerohet nga partnerët tanë, që kanë bashkëpunuar me ne për të ndërtuar ligjin në fjalë dhe për të bërë ato ndryshime që më pas u votuan nga Parlamenti. E dyta, akuzat për spastrime janë të gjitha, le të themi, shembuj të asaj shprehjes që thotë: “Kush shpif ndaj teje, e bën duke u nisur nga çka është në gjendje, në fakt, të bëjë vetë”. Ne nuk kemi plane spastrimi. Ne kemi një projekt të madh të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve dhe të një administrate që është aty për t’u shërbyer qytetarëve, të një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit.”- deklaroi kryeministri Rama në një intervistë televizive pak ditë më parë. 
Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se përpjekjet e kryeministrit, Rama për të vënë në pikëpyetje ligjin për nëpunësin Civil janë një akt destabilizues. Basha tha se Rama gënjen kur thotë se ligji është i pazbatueshëm, sepse aktet nuk janë miratuar apo kur thotë se ka kërkuar konsensusin e opozitës, si dhe kur thotë se është një sugjerim i partnerëve. 
Sipas Bashës, ligjet nuk janë që ti gjykojë Kryeministri, ministrat apo qytetarët nëse janë ose jo të zbatueshëm, pasi këtë e vendosin gjykatat.