2nëntor 2015 – Pas hyrjes në fuqi të reformës administrativo-territoriale aksionarët e shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a kanë zhvilluar mbledhjen e asamblesë. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues të bashkive Durrës, Shijak, Krujë, Vorë dhe Kurbin, të cilët janë tashmë aksionarët e vetëm të shoqërisë UKD. Mbledhja e asamblesë është thirrur për të diskutuar dhe miratuar 3 pika në rendin e ditës. Pika e parë e rendit të ditës kishte të bënte me ndryshimin e pikës 2 dhe 3 të nenit 7 të statutit të shoqërisë në lidhje me konfigurimin e aksionarëve të rinj. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Bashkia e Durrësit ka në administrim edhe territoret e ish komunave të Ishmit, Rrashbullit, Katundit të Ri si dhe bashkive Manzë dhe Sukth.

Për këtë arsye bashkia e Durrësit është aksionarja më e madhe e shoqërisë  me 341 483.04 aksione ose 76.4% për qind të totalit të aksioneve.

Bashkia e Shijakut është aksionarja e dytë, pas bashkisë së Durrësit, me 51 848.27 aksione ose 11.6%.

Bashkia e Krujës ka tashmë 30 393.81 aksione, ose 6.8%, ndërsa dy aksionarët më të vegjël që kanë numrin më të vogël të aksioneve janë bashkia Vorë dhe bashkia e Kurbinit me nga 12 mijë dhe 10 mijë aksione në nivelin e 2.8 % dhe 2.4 % të aksioneve. Aktualisht aksionarët e shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Durrës SH.A  janë vetëm 5, nga 15 që kanë qenë përpara reformës administrativo-territoriale. Përfaqësuesit e pranishëm në këtë mbledhje kanë diskutuar edhe për ndryshimin e pikave 1 dhe 2 të nenit 26 të Statutit të Shoqërisë Aksionare “Ujësjellës Kanalizime Durrës” SHA. Duke qenë se kjo shoqëri tashmë përbëhet vetëm nga pesë aksionarë, formulimi i pikës 1 të nenit 26  ka ndryshuar duke i dhënë të drejtën aksionarit me numrin më të madh të aksioneve që të zgjedhë numrin më të madh të anëtarëve të këshillit mbikëqyrës. Në këto kushte në këshillin mbikëqyrës dy anëtarëve të vjetër që iu kishte mbaruar mandati (Sulejman Ibrahimi kryetar i komunës Ishëm dhe Sherif Fortuzi kryetar i bashkisë Sukth), janë zëvendësuar me dy anëtarë të rinj. Përfaqësuesi i bashkisë së Durrësit ka propozuar që në njërin prej dy vendeve vakant të jetë juristi i bashkisë Durrës Artion Beqiraj.

Më pas ka qenë radha e bashkisë së Shijakut, si aksionarja e dytë për të bërë propozimin për anëtarin tjetër të këshillit mbikëqyrës. Propozimi i bashkisë së Shijakut për këtë vend ka ka qenë për Avni Xhafën. Të dyja kandidaturat janë miratuar dhe që të dy personat e mësipërm janë tashmë anëtarë të këshillit mbikëqyrës. Duhet theksuar se anëtarët e këshillit mbikëqyrës që propozohen nga përfaqësues të aksionarëve të vegjël kanë mandat 1-vjeçar dhe pas mbarimit të mandatit të tyre, propozimi për anëtarin e ri do të bëhet me rotacion sipas radhës që aksionarët kanë në bazë të përqindjes së aksioneve.

/portali DurresLajm/