Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Shkup, aty ku do të zhvillohet një mbledhje mes qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se ditën e sotme do të finalizohen një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh ndërqeveritare mes dy vendeve.
“Dhe nga Shkupi, ku do të zhvillojmë mbledhjen e dy qeverive e do të finalizojmë një sërë marrëveshjesh e memorandumesh ndërqeveritare Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Dy qeveritë i rikthehen mbledhjeve të përbashkëta pas 5 vitesh. Herën e fundit, ishte Shqipëria që mikëpriti në Pogradec qeverinë e RMV-së. Mësohet se janë parashikuar që të firmosen rreth 20 marrëveshje dhe memorandume.
Marrëveshjet do të nënshkruhen pas përfundimit të fjalimeve të dy kryeministrave dhe diskutimeve të të gjithë anëtarëve të kabineteve që janë parashikuar të jenë të hapura për mediat.