Në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak Durrës, mbajtur mesditën e kësaj të marte, kaluan për miratim 2 pika të rendit të ditës, që lidheshin me kriteret për familjet në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike deri në 6% dhe sistemin e pikëzimit për përzgjedhjen e familjeve që kërkojnë të përfitojnë nga programet e strehimit social, që ofron bashkia.

Megjithëse pika e parë kaloi me votat pro të 33 këshilltarëve të pranishëm në mbledhje, për të djathtët këto kritere janë apriori dhe nuk përputhen me realitetin e familjeve në nevojë të bashkisë Durrës.

“Ne nuk kemi akoma të përcaktuar minimumin jetik dhe këto kritere nuk janë të sakta dhe janë arbitrare, sepse nuk pasqyrojnë nevojat reale të shtresave në nevojë që kërkojnë ndihmë pranë bashkisë Durrës”,- tha ndër të tjera kêshilltarja Edlira Harizi.

“Natyrisht ndihma ekonomike është e pamjaftueshme në atë shumë qesharake që jepet por përderisa ka qytetarë që e kërkojnë kuptojmë që njerëzit janë aq në nevojë sa i bën punë edhe ai 30 mijë lekëshi apo 20 mijë lekëshi i përcaktuar”,– deklaroi ndër të tjera kreu i grupit demokrat Dritan Burgija, që kërkoi sqarime për kriteret nga drejtoresha e Shërbimit Social Durrës, Meme Xhaferaj.

Pika tjetër e rendit të ditës kaloi me votat pro të këshilltarëve të majtë, sepse 10 këshilltarë të opozitës votuan kundër.

Në mbledhje u lexuan 2 raporte për veprimtarinë e drejtorisë së Arsim Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe komuniteteve fetare për vitin 2024, dhe ai për punën e këshillit të bashkisë përgjatë vitit që lamë pas.

M.B.