Asambleja e zgjeruar e PS Durrës ka mbajtur punimet e saj pasdite e sotme, në orën 17.00. Ashtu siç ishte paralajmëruar, në takim u prezantua zyrtarisht kandidatja për kryebashkiake Valbona Sako si dhe kandidatët e PS-së për këshilltarë bashkiakë të Durrësit.
Në fjalën e mbajtur në asamble, koordinatori i qarkut Durrës dhe njëkohësisht kryebashkiaku aktual Vangjush Dako theksoi se ndërsa fushata elektorale është në prag të gjitha strukturat e PS do të angazhohen maksimalisht për të arritur një tjetër fitore, jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe në dy bashkitë e tjera të qarkut. Dako nënvizoi se me përzgjedhjen e kandidates Valbona Sako garantohet vijimësia e projekteve për zhvillimin e Durrësit.
Ndërkohë, kandidatja Sako në fjalën e saj mbajtur në Asamble para së gjithash falenderoi Partinë Socialiste, drejtuesit dhe anëtarësinë e saj që besuan tek ajo dhe e propozuan për të qenë kryebashkiakja e ardhshme e qytetit të Durrësit. Njëkohësisht, kandidatja Sako bëri para strukturave të PS-së një prezantim të shkurtër për veten, karrierën dhe premtoi se do të punojë për të çuar përpara projektet për zhvillimin e qytetit ku ka lindur dhe është rritur.
Pas prezantimit zyrtar të kandidates për kryetare dhe kandidatëve për Këshillin Bashkiak, PS-ja e Durrësit pritet të "ndezë motorët" e fushatës elektorale.
M.B.





