Një ditë para protestës së paralajmëruar nga opozita, është mbledhur Bordi i Transparencës në vendin tonë duke vendosur uljen e çmimit të karburanteve.

Kështu nga sot, nafta do të shitet me 5 lekë më lirë, duke zbritur në 227 lekë për litër. Benzina do të shitet me 210 lekë për litër, nga 212 që ishte më herët.

Ndërkohë që gazi do të tregtohet me 62 lekë për litër. Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi nga ora 18:00 e pasdites së sotme

Njoftimi:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 11 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 10.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 957, – 4  nga data 1.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1023, – 40 nga data 1.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një ulje të lehtë në 118.03 ( -1.24 nga data 1.11.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 227 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 215 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 74 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 62 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoil për peshkimin është vendosur  133 lek/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 11  Nëntor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.