Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur ditën e sotme. I pranishëm në këtë mbledhje është edhe kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti, Edi Rama.

Në këtë mbledhje marrin pjesë edhe ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, Ervin Hoxha (ministër i Brendshëm), Petrit Mala (ministër i Financave), Pirro Vengu (ministër i Mbrojtjes).

Emrat e ministrave të rinj u njoftuan nga kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet dhe dekreti i Presidentit Begaj për ta.

Në mbledhjen e sotme, Rama do të ketë një prezantim më nga afër me anëtarët e rinj të kabinetit të qeverisë. Ndërkohë, kjo është mbledhja e parë që Niko Peleshi zhvillon me grupin parlamentar të PS-së, si kryetar i këtij grupi.

Pasditen e sotme për shkak të ndryshimeve në qeveri, pas dekretit të Presidentit Begajt për ministrat e rinj, në orën 18:00 do të mblidhet Kuvendi në një seancë të posaçme për të miratuar emrat e rinj të kabinetit qeveritar.