Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, ku pikë e rëndësishme e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit të Apelit.
Një ditë më parë, kryetari aktual Alaudin Malaj kërkoi përjashtimin e Gjin Gjonit nga votimi për kryetarin e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Sipas Malajt, marrja pjesë e Gjin Gjonit në këtë proces përbën konflikt të hapur interesi.
Mësohet se për këtë post kandidojnë edhe gjyqtarët Hysni Demiraj dhe Gramoz Levanaj.
Ndërkohë një pikë tjetër e rendit të ditës është edhe zgjedhja e 6 anëtarëve për Gjykatën Administrative të Apelit, të cilëve do t’u shtohen anëtarëve aktualë pas kërkesave të shumta të bërë nga kryetari i kësaj gjykate.





