Në mjediset e Hotel Bleart, Prefekti i Qarkut Durrës Roland Nasto organizoi diten e sotme mbledhjen e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit.

Në këtë takim ishin të pranishëm Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, kryetarja ne detyre e bashkisë Durrës Emiriana Sako, drejtues të degëve territoriale të qarkut, sipërmarrës, operatorë turistik etj.

Pas hapjes së takimit, nga Prefekti i Qarkut u bë prezantimi i materialit mbi veprimtarinë e deritanishme, punën e bërë, nismat dhe masat e marra nga të gjithë institucionet, problematikat e hasura nga sezoni i kaluar si dhe detyrat që do të ndiqen në vazhdimësi për mbarevajtjen e sezonit turistik 2021.

“Ky takim vjen pas një pune përgatitore me takime, inspektime e verifikime në terren në drejtim të shërbimeve dhe infrastukturës së nevojshme të ofruar nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë Komitet. Takim pati pjesemarrje të kënaqshme të anetareve dhe të operatoreve turistike, të cilët diskutuan në lidhje me problematikat e hasura, punën e bërë, detyrimet që kanë për periudhen në vazhdim si dhe mbi krijimin e urave të bashkëpunimit ndërinstitucional për çdo problematikë apo situatë në funksion të një menaxhimi sa më të mirë të sezonit turistik 2021”,- njofton Prefektura Durrës.

Ministri Klosi e vlerësoi këtë takim si një shenjë pozitive e ndërveprimit mes të gjithë aktorëve të përfshirë drejt një objektivi kryesor atë të një sezoni të mbarë si për turistët, ashtu edhe për çdo qytetar e sipërmarrës.

Gjatë takimit u nënvizua se Bashkia e Durrësit i ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Të gjitha ndërmarrjet e varësisë dhe infrastruktura përkatëse janë në dispozicion për çdo nevojë dhe problematikë. Burimet njerëzore kanë qenë në krye të detyrës për ta menaxhuar me sukses edhe këtë sezon turistik.

Në përfundim nga Prefekti u prezantuan objektivat e punës dhe çfarë kërkohet për 2021 në zbatim të akteve ligjore në mënyrë që të krijojmë jo vetëm klimën e duhur për një turizëm bashkëkohor dhe të standartizuar, por në të njëjtën kohë të krijojmë mundësinë që sektori i turizmit të shërbejë si një nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik për qarkun tonë dhe më gjerë.