Nesër (e mërkurë) në orën 17.00 do të mblidhet Asambleja e zgjeruar e PS, dega Durrës. Pasi është shpallur zyrtarisht emri i kandidates për kryetare bashkie dhe është dorëzuar në KQZ lista me emrat e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, në mbledhjen e ditës së mërkurës pritet të bëhet prezantimi zyrtar i Valbona Sakos.

Në mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar, ku marrin pjesë veç drejtuesve të degës, deputetëve edhe kryetarët e organizatave të PS-së në bashkinë e Durrësit dhe koordinatorët do të bëhet për herë të parë publike lista me emrat e kandidatëve për Këshillin Bashkiak bën të ditur kreu i PS-së, Luan Zaza.

Pas përfundimit të afatit të regjistrimit në KQZ të kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë, PS dhe aleatët e saj kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Nga ana tjetër, PD, LSI dhe partitë aleate i shkuan deri në fund qëndrimit të tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Vetëm partia e Astrit Patozit, Bindja Demokratike, e formuar rreth një muaj më parë, regjistroi kandidatët e saj në 25 bashki nga 61 në total që janë në të gjithë vendin.

Në Durrës dhe Shijak, kandidatët e PS-së Valbona Sako dhe Elton Arbana do të kenë përballë kandidatët rivalë, Valbona Sakollari dhe Arben Pohumi.