Komisioni i Reformës Zgjedhore u mblodh online këtë të premte. Vendimi erdhi pasi deputetët e Partisë Demokratike të grupimit Berisha-Bardhi bllokuan sërish punën që ajo të zhvillohej fizikisht.

Bashkëkryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla që puna të zhvillohet fizikisht në sallë. Sipas tij, autoritetet e Kuvendit duhet ta garantojnë diçka të tillë.

Ndërsa bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri i bëri thirrje deputetëve të PD që të lejojnë mbledhjen fizike ose të futen online. Duke iu përgjigjur Alibeajt, Gjiknuri tha se administrata nuk ka çfarë t’i bëjë deputetëve që nuk respektojnë etikën e komunikimit brenda një komisioni.

Në fund të gjithë deputetët miratuan kalendarin e punës.