Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pritet të mblidhet mesditën e sotme për të vijuar procedurat në lidhje me mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj. Takimi është parashikuar të mbahet në orën 12:00.

Këshilli në fjalë u thirr pas kërkesës së kryetari të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi më 18 Shtator, por u ndërpre për shkak të vdekjes së ish-deputetit Gerti Bogdani.

Bardhi theksonte në një letër se kryetarja e Kuvendit nuk e ka thirrur prej atij momenti mbledhjen duke penguar vijimin e procedurës parlamentare dhe dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.

Partia Demokratike e akuzon deputetin e mazhorancës Vullnet Sinaj se ka përfituar fonde publike dhe për këtë arsye për mandatin e tij duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, Sinaj ka mohuar çdo akuzë.