Një ditë pasi bëri bilancin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në banesa e biznese në qarkun e Durrësit, prefekti Roland Nasto mblodhi në prefekturë përfaqësuesit e njësive vendore dhe drejtuesit e institucioneve që janë përfshirë drejtpërdrejt në operacionet e ndryshme për normalizimin e situatës në zonat e përmbytura.
Gjatë analizës, prefekti tha se në operacionet e shpëtimit dhe të zhbllokimit të rrugëve kanë marrë pjesë në total 1983 trupa dhe personel nga Forcat e Armatosura, Policia, Ujësjellësi, Zjarrfikësja, OSHEE-ja, Bordi i Kullimit, APD etj.
Përveç banesave, janë përmbytur në nivel qarku 2.425 hektarë tokë dhe 375 ha janë ende nën ujë.
Në mbledhje, si përfaqësuese e njërës prej bashkive më të prekura, e mori fjalën nënkryetarja e bashkisë Shijak, e cila pasi bëri një pasqyrë të dëmeve e vuri theksin te domosdoshmëria e rehabilitimit të lumit Erzen, që do të sillte zgjidhjen përfundimtare të problemit.
Për nënkryetarin e bashkisë Durrës, Arbër Braho, përpara se të merren vendime për të kryer investime, duhet evidentuar shkaku i përmbytjeve. Sipas tij, kësaj here uji ka vërshuar nga Tirana. Komisioni i mbledhur diskutoi më pas për fazën e dytë të punës, e cila ndër të tjera ka të bëjë me likuidimin e pasojave dhe gjetjen e zgjidhjeve afatgjata, pasi situata të tilla mund të përsëriten.
Aktualisht ka nisur shpërndarja e ndihmave nga KryqiiI Kuq dhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Durrës në një nga zonat më të prekura, atë të Fushë Krujës.
6 ura, tre prej të cilave në Shijak, janë të dëmtuar. Dy shkolla e 10 argjinatura, së bashku me një ujësjellës, janë dëmtuar e kërkojnë investime. Shumica e dëmeve janë në infrastrukturë.
Arritje për prefektin Nasto ishte fakti që nuk pati jetë njerëzore të humbura nga përmbytjet e shkaktuara. Lumi Erzen, Ishmi dhe lumi Zezë, së bashku me 10 argjinatura, janë përcaktuar si pikat e dobëta që ka qarku.
K.H.





