Këtë të shtunë nga ora 10:00-15:00, socialistët do të mbledhin në Durrës Asamblenë Kombëtare për të çelur zyrtarisht fushatën zgjedhore për kryetarët e rinj të çdo organizate të kampit rozë.
Sipas agjendës së bërë publike, fjalën hapëse do e mbajë Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi. Pas tij, kryesocialisti Edi Rama dhe të gjithë drejtuesit politikë.
Pjesa e parë e mbledhjes do të jetë me dyer të hapura, ndërsa më pas pritet të vijojë me dyer të mbyllura deri në orën 15:00. Në qendër të diskutimeve do të jenë raportimet e drejtuesve të qarqeve dhe mënyra si shkuan zgjedhjet parlamentare të 2025-ës për këtë forcë politike.
2026 është viti kalendarik, që sipas Statutit të Partisë Socialiste, kërkon një proces zgjedhor në të gjithë strukturën vendore të kësaj force politike.
Ky proces do të fillojë me zgjedhjen e kryetarëve të organizatave dhe do të vazhdojë me zgjedhjen e forumeve lokale të PS, një proces që tashmë zhvillohet çdo dy vjet. Ai do të përfshijë të gjithë forumet e PS dhe të zgjedhurit e saj, dhe natyrisht do të shtrihet në çdo qelizë në të gjithë vendin.
Zgjedhja e krerëve të forumeve drejtuese, si kongresi, asambleja apo kryesia, nuk do të jetë pjesë e këtij procesi, i cili do të përmbyllet më 12 qershor, kur Partia Socialiste do të festojë edhe 35-vjetorin e saj.
Kujtojmë se kreu i qeverisë e lajmëroi hapjen e fushatës për zgjedhje në Partinë Socialiste më 3 mars.
Në këtë mbledhje, ku ka folur vetëm kryeministri, ai u ka kërkuar socialistëve të nisin një dialog me bazën.
Në bashki të caktuara sipas tij, duhet fokus edhe më i qartë, një dialog që do konkludojë më pas edhe në zgjedhjet për strukturat e partisë.
Tre ishin porositë e mëhershme të kryeministrit:
1- të shtrihet dialogu me bazën dhe përqendrimi në bashki të caktuara.
2-forcimi i bashkëpunimit me bazën socialiste.
3- përgatije për çdo pasojë ekonomike që mund të prodhojë lufta në Lindjen e Mesme.





