Drejtori i policisë së Durrësit Alfred Çepe, u ka kërkuar bashkëpunim të gjithë qytetarëve, duke ruajtur anonimatin, në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Në mbledhjen e grupit Task Forcë për qarkun e Durrësit, drejtues i parë Alfred Çepe tha se policia vendore ka hartuar planin e punës së bashku me prokuroritë e Durrësit e Krujës, për të hequr nga lista e zezë zonat e kultivimit të kanabisit në qarkun e Durrësit.

Alfred Çepe u shpreh i bindur se falë bashkëpunimit me të gjithë institucionet bashkëvepruese dhe me agjencitë ligjzbatuese, kultivimi i kanabisit do të jetë i pamundur edhe në zonat veriore të Krujës, territore shumë të vështira këto për t’u mbajtur nën kontroll.  

Zv.drejtoresha e përgjithshme e policisë së shtetit Aida Hajnaj, e ngriti çështjen te përgjegjësitë që duhet të mbajnë institucionet, duke u ndalur te dogana në kontrollet që duhet të ketë për farat, pesticidet e gjithçka tjetër që nevojitet për kultivimin e kanabisit.

Edhe këtë vit, përgjegjësia kryesore u bie inspektorëve të zonës. Nuk ka asnjë tolerim për inspektorët e policisë që mbulojnë zonat përkatëse nëse ka apo jo sipërfaqe të mbjella me kanabis.

K.H.