Gjykata e Lezhës ka dënuar me 3 vite burg Arian Melin, i riu i cili mblidhte para për tërmetin e 26 nëntorit, por në fund i mbante vetë.
30-vjeçari u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar, teksa kishte hapur një faqe me emrin “Rilindje” dhe në emër të kryeministrit Rama u bënte thirrje qytetarëve që të kontribuonin me vlera të caktuara për të prekurit nga tërmeti.
Ai arriti të mbledhë shuma të mëdha parash, kryesisht nga shtetasit kosovarë, në dy llogaritë private që kishte hapur me emrin e tij, llogari që pa arrestimit të Melit u bllokuan.
Për shkak të gjendjës së rënduar shëndetësore dhe ndërhyrjes kirurgjikale që do kryente në zemër prokurori Arben Agovi kërkoi pezullimin e dënimit, mbështetur në nenin 59 të Kodit Penal
Kërkesa u pranua nga gjyqtarja Ornela Naqellari e cila vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim të mbetur pa vuajtur për të pandehurin dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 3 vitesh.
Kushti: I pandehuri nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale dhe duhet të mbajë kontakte të rregullta me zyrën vendore të shërbimit të provës së vendbanimit të tij.





