Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Teatri Kombëtar, atje ku u iniciua edhe aksioni për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti, shprehu mirënjohje për kontributin e artistëve dhe të gjithë atyre që iu bashkuan kësaj nisme.
Teksa e cilësoi Teatrin Kombëtar monument i solidaritetit dhe qëndresës, Basha tha se sot kjo godinë nxorri ‘lakuriq’ qeverinë prej kartoni.
“Ju jeni monument i solidaritet dhe qëndresës. Opozita si ndihet? Unë ndihem shumë mirënjohës ndaj jush. Ju e nxorët atë lakuriq. Ai tha se nga tërmeti do të rrezohej teatri, por ja ku është. Unë po vij nga zona në fshat, ku banorët janë lënë në mëshirë të fatit. Është shkatërruar një shtet i tërë, e pamë se si i la efektivët tanë me duar zbuluar duke gërmuar. Ky teatër rrëzoi qeverinë e kartonit. Ndjej keqardhje ndaj atyre njerëzve që kemi lënë ashtu, pas tërmetit. Teatri dhe Astiri janë dy monumentet e rezistencës. Ju në një ditë të zezë të vendit, ditët se si të tregonit se sa të madhe e keni zemrën. Aktet tuaja flasin vetë. Ndihma juaj ka bërë diferencën. Ju faleminderit nga zemra, që e keni zemrën kaq të madhe. Kjo tregon se shteti prej kartoni u shemb, ndërsa ne jemi një komb, të gjithë bashkë, pa dallime partiake jemi bashkuar.”, tha Basha.





